Tre fitore në po kaq ndeshje për Liverpoolin kampionin e Anglisë në sezonin e ri. Mbrëmë djemtë e drejtuar nga Jurgen Klopp fituan me përmbysje 3-1 ndaj Arsenalit në “Anfield Road”. Londinezët shënuan të parët me Lacazette që mposhti Alisson në minutën e 25-të por Liverpooli e gjeti menjëherë barazimin pas vetëm tre minutash lojë dhe ai që shënoi ishte Sadio Mane.

Rezultatin e ktheu në favor të kampionëve të Anglisë mbrojtësi Robertson që shënoi golin e avantazhit 2-1 në minutën e 34-të duke shlyer gabimin e bërë tek goli i pësuar. Llogaritë i mbylli Diogo Jota lojtari i afruar së fundmi në merkato që shënoi dy minuta nga fundi. Liverpool është me pikë të plota në renditje. Por në Premier League është rikthyer frika e infektimeve nga COVID-i. Në afërsisht 1600 testime që janë bërë ditët e fundit 10 futbollistë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus duke vënë në alarm klubet e futbollit.
Ndërkaq më e rëndë situata është në Itali aty ku vetëm tek Genoa kanë rezultuar pozitiv 14 persona mes futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit. Ndeshja e radhës për Genoan ndaj Torinos është në rrezik dhe pritet të merret një vendim ndërsa në alarm është edhe Napoli që të dielën u përball me Genoan. Tek skuadra e Hysajt sot do të testohen të gjithë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu