109 vite më parë, më 13 tetor 1911 , u lind në një familje ortodokse Millosh Gjergj Nikolla. Mbiemri i “Nikolla” vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.
Migjeni konsiderohet ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të rëndësishëm të letërsisë shqipe në shekullin e 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma, dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike, dhe me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, ka dhënë një ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Ndikimi mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur ai shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.
Migjeni ndërroi jetë më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e tij u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, iu dha titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu