Është dënuar me 25 vite burg francezi që vrau dhe tentoi të asgjësojë gruan e tij pas një konflikti familjar. Vrasja makabër shokoi publikun francez në tetor të vitit 2017.

Një gjykatë franceze ka dënuar me 25 vite burg autorin e një vrasjeje makabre që tronditi vendin tri vite më parë.

Verdikti ndaj 36-vjeçarit, Zhonatan Daval, u dha të shtunën dhe u prit pa reagime nga autori.

Ai akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Aleksias, të cilën pasi e kishte goditur fizikisht dhe mbytur, kishte mundur ta zhdukte trupin duke e djegur në një pyll në lindje të Francës.

Prindërit e viktimës u shprehën të kënaqur me vendimin, pasi më herët kishin dëgjuar dhëndrin e tyre në gjykatë që t’u kërkonte ndjesë për krimin.

“Është vendim i drejtë, që e shpresonim dhe që pritej. E lehtëson disi dhembjen tonë dhe do na lejojë të kthejmë faqen pas tri viteve luftë.”

“Jemi të kënaqur që erdhi fundi. Drejtësia e bëri detyrën e vet, e kuptoi dhembjen tonë dhe kush e vrau Aleksian.”

36-vjeçari Daval me profesion specialist informatike kishte pretenduar fillimisht pas vrasjes se partnerja e tij ishte larguar për të bërë vrap por nuk ishte kthyer më.

Dëshmia nuk u vërtetua dot nga dëshmitarë të tjerë ndërsa ai vetë pranoi tre muaj më vonë se e kishte vrarë aksidentalisht pas një konflikti bashkëshortor.

Pak ditë pas ngjarjes në 2017-n, Daval mbajti i përlotur edhe një fjalim me rastin e funeralit, teksa mijëra bashkëqytetarë marshuan në heshtje në nder të saj dhe kundër dhunës ndaj grave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu