Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, numri i shtretërve të zënë në katër spitalet Covid ka shkuar në 90%, duke rrezikuar ndjeshëm kolapsimin, sa kohë që spitalet rajonale ende nuk kanë nisur që të presin pacientët e parë të infektuar nga koronavirusi.

Nga 550 shtretër që deklaron Ministria e Shëndetësisë në spitalet Covid , gjatë ditës së djeshme u tha se 492 prej tyre janë të zënë, ndërkohë që në terapi intensive janë 32 persona, nga të cilët 19 pacientë janë të intubuar.

Megjithëse situata paraqitet shqetësuese, e vetmja masë shtesë që u ndërmorr nga ana e Komitetit Teknik të Ekpsertëve ishte ajo për spostimin e orës policore nga 22:00 e mbrëmjes në 20:00 të mbrëmjes, që sipas tyre do të frenojë daljet e të rinjve në lokale e bare, që duket se në javët e fundit ishin shndërruar në minilokale nate.

Me shumë mundësi këto ditë do të hapen dhe spitalet rajonale Covid, fillimisht në Elbasan, Vlorë, dhe më pas edhe në qytete të tjera, ndërsa sipas MSH-së ato kanë 1600 shtretër në dispozicion.

Gjatë ditës së djeshme u raportuan ndërkohë 1105 raste të reja nga rreth 4100 testime të kryera, ndërsa qytetarët raportojnë sërish vonesa në marrjen e përgjigjeve. Testet e shpejta janë me pikatore, ndërsa në qytete si Vlora të vetmet testime që kryhen janë ato me PCR. Ndërkohë numri i viktimave të konfirmuara zyrtarisht që nga nisja e pandemisë ka shkuar 1517 persona, nga të cilët 14 humbën jetën verëm dje.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 14 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID: mjeku pneumolog nga Përmeti 73 vjeç, 7 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Lezha, 1 qytetar nga Mirdita, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetare nga Vlora, të moshave 52-91 vjeç””, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu