Reagojnë qytetarët dhe ambientalistët: Vendimi nuk u konsultua me grupet e interesit

Ndonëse një nga qytetet më të ndotura në Shqipëri, Elbasanit i “zhduken” institucionet e mbrojtjes së mjedisit.

Shkrirja e Inspektoriatit Mjedisor dhe kalimi i kompetencave tek IKMT u pasua nga rajonalizimi i Agjencisë Mjedisore duke vendosur qendrën në Berat. Kështu, banorët e një zone të konsideruar si hotspot, nuk kanë ku të ankohen edhe pse përballen me ndotjen e mjedisit ku jetojnë.

Aktualisht nuk ka një adresë ku mund të depozitosh një denoncim mjedisor në qytetin e një prej qarqeve më të mëdha në shkallë vendi. Vetëm 3 specialistë pranë Drejtorisë së Pyjeve nuk kanë asnjë kompetencë kontrolli apo administrimi të shqetësimeve të banorëve për ndotjen. Drejtori i komanduar i drejtorisë Rajonale në Berat  Xhako Lamçellari tha se “nga shtatori e deri tani nuk është administruar asnjë ankesë sa i përket mjedisit nga qarku i Elbasanit”. Në fakt dy ankesat e mbërritura para shtatorit janë marrë në platformën për bashkëqeverisjen pasi institucionet mjedisore edhe pas një viti nga reformimi janë ende në riorganizim.

I kontaktuar përmes telefonit drejtori i komanduar i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Berat Xhanko Lamçellari deklaroi se struktura rajonale ka nisur punën nga 1 korriku 2020 por ende nuk ka një strukturë të qartë. “Kemi vetëm 4 inspektorë për të gjithë rajonin dhe ende nuk kemi mjete logjistike. Elbasani ka aktualisht 3 specialistë nga ato të agjencisë rajonale por që nuk kanë kompetenca kontrolli dhe dërgojnë informacion pranë drejtorisë Rajonale”.

I pyetur nëse janë ndjekur raste të ndotjes së mjedisit në qarkun e Elbasanit, Lamçellari konfirmoi se “kanë qenë vetëm dy raste të ardhura nëpërmjet platformës për bashkëqeverisjen”. Ai deklaroi se “është ndjekur një prej rasteve, zhurma e gjeneratorëve nga një fabrikë imbotilimi në Gjinar, rast që i është referuar institucioneve në Elbasan”.

Mjek në profesion A. Lleshi u shpreh se Elbasani është shumë i ndotur. “Kemi një javë rrjesht çdo mëngjes deri në orën 10.00 s’ke shanse të shikosh shtëpitë që janë afër metalurgjisë nga tymi”. Të tjerë qytetarë komentojnë të shqetësuar faktin e transferimit të institucionit mejdisor në Berat duke e quajtur një zgjedhje politike më shumë se sa interes i vetë komunitetit.

Kryetari i Klubit Ekologjik Ahmet Mehmeti deklaroi se më shumë se reformë kjo e institucioneve mjedisore është një ç’reformë pasi institucionet mjedisore që duhet të monitorojnë dhe të merren me kontrollet thuajse janë paralizuar. “Është bërë mbrapsht kjo punë pasi nuk mund të rajonalizosh mjedisin duke e çuar në Berat ndërkohë që institucionet e tjera si Inspektoriati Mjedisor janë të paralizuar. Kjo e ashtëquajtur reformë duhet të ishte diskutuar dhe konsultuar me grupet e interesit siç është edhe shoqëria civile në mënyrë që ti shërbejë përmirësimit të situatës dhe jo një gjendje apatie ku ndotësit gëlojnë edhe më shumë për shkak të mungesë së kontrollit”.

Një tjetër ekspert mjedisi, që nuk dëshiron të identifikohet, theksoi se kalimi i institucionit mjedisor në Berat është më shumë një zgjedhje politike sesa i shërben vërtet rajonalizimit të vendit. “Nuk di si u vendos por duket se ka lidhje me faktin që ministri i Mjedisit ka vendosur t’i japë një institucion Beratit për të cilin nuk ka nevojë dhe t’ia marrë Elbasanit që njihet si vatër e nxehtë mjedisore për shkak të përqendrimit të industrisë së rëndë”.

Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan, që tashmë ka marrë kompetencat e kontrolleve edhe për çështjet mjedisore, deklaroi se janë zhvilluar mbi 50 kontrolle për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore duke përfshirë këtu prerjen e paligjshme të pyjeve dhe ndërtimeve pa leje.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu