Vaksina e koronavirusit nga Johnson & Johnson, kompani nga e cila BE planifikon të blejë deri në 400 milionë doza, është rreth 66% efektive referuar një hulumtimi global.

Kompania – një korporatë shumëkombëshe amerikane e themeluar në vitin 1886 e cila zhvillon pajisje mjekësore, farmaceutike dhe mallra të paketuar për konsum – tha se vaksina, e cila kërkon vetëm një dozë, ishte 85% efektive në përgjithësi në parandalimin e sëmundjes së rëndë. Ajo gjithashtu demonstroi mbrojtje të plotë kundër shtrimit në spital dhe vdekjes. Rezultatet e efikasitetit të vaksinës u bazuan te 43,783 pjesëmarrës.

Shumica e vaksinave që përdoren në të gjithë botën për momentin kërkojnë dy doza. Por vaksinat me një dozë të vetme janë dukshëm më të lehta për t’u shpërndarë në popullata, veçanërisht në territoret ku mund të jetë një sfidë e madhe gjurmimi i njerëzve pas dozës së parë.

Vaksina e J&J transporton gjenin “spike” në trup, ku qelizat bëjnë kopje të parrezikshme të proteinave për të mbushur sistemin imunitar në rast se shfaqet virusi i vërtetë. Vaksina e zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit funksionon në mënyrë të ngjashme, por kërkon dy doza.

Të dy vaksinat AstraZeneca dhe J&J mund të ruhen në një frigorifer të zakonshëm, duke e bërë më të lehtë transportimin dhe përdorimin në vendet në zhvillim.

Duhet thënë se pati një ndryshim të mbrojtjes në varësi të vendndodhjes: Doza ishte 72% efektive në Shtetet e Bashkuara, krahasuar me 66% në Amerikën Latine dhe 57% në Afrikën e Jugut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu