Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka komentuar sot nga Elbasanit deklaratat e Kryeprokurorit në lidhje me situatën kriminale në këtë qytet. Gjithashtu ai është ndalur në situatën zgjedhore dhe raporet me opozitën.

Lidhur me deklaratën e Kryeprokurorit se “krimi ka kap strukturat ekonomike dhe kontrollon qytetin” ai u shpreh se kjo deklaratë është keqkuptuar pasi “Prokurori i Përgjithshëm tha që ne nuk do lejojmë kurrë që siguria publike të degradojë në Elbasan”.

Ai ka shprehur mbështetjen ndaj strukturave të policisë në këtë qytet duke e cilësuar si të shkëlqyer punën e bërë prej tyre në goditjen e akteve kriminale të ditëve të fundit dhe në zbulimin e ngjarjeve të mëparshme.

Duke vazhduar më tej në këtë kontekst “në Elbasan nuk ka të paprekshëm”- tha ai. “Do goditen të gjithë nga Forca e Ligjit dhe se ka ikur koha e 10 viteve më parë kur kreu i opozitës i merrte votat me grupet kriminale”.

Duke u ndalur në aktualitetin politik Balla u shpreh se “LSI nuk ekziston ose ajo ekziston vetëm kur është në pushtet”.

Ndërsa i pyetur për polemikat mes Kryeministrit dhe Presidentit ai deklaroi se “kemi një President Republike që nuk përfaqëson unitetin e vendit. Ne e nxisim që ai të qartësojë pozicionin se kush është kryetar partie i LSI, ai apo Monika dhe të sqarojë se kush është kryetar i opozitës, ai apo Basha. Vetëm kur të sqarojë këto mund të vazhdojë rrugën e opozitës”, ka theksuar Balla.

Balla ishte në Elbasan bashkë me zv kryeministrin Erion Braçe i cili prezantoi prefektin e ri dhe u tërhoqi vëmendjen drejtorëve që të rrisin shërbimet ndaj qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu