Shtetet anëtare miratuan rekomandimin e Komisionit Europian lidhur me kufizimet e lëvizjes së lirë në zonën Shengen për përballjen me pandeminë COVID-19. Nën rekomandimin e azhurnuar, një ngjyrë e re (e kuqe e errët) u shtohet kategorive ekzistuese: të gjelbër, portokalli, të kuqe dhe gri në hartën javore të botuar nga qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Shtetet anëtare duhet të kërkojnë nga personat që udhëtojnë nga një zonë e klasifikuar si e kuqe e errët që:

1) t’i nënshtrohen një testi për infeksionin COVID-19 para mbërritjes

2) t’i nënshtrohen karantinës / vetë-izolimit

Masa të ngjashme mund të zbatohen në zonat me një përhapje të lartë të varianteve shqetësuese. Duke pasur parasysh rritjen e kapacitetit të testimit COVID-19, rekomandimi gjithashtu ndryshohet për t’u dhënë vendeve anëtare mundësinë që t’u kërkojnë udhëtarëve që vijnë nga zona portokalli, të kuqe dhe gri të bëjnë një testim para nisjes.

Punëtorët që operojnë në fushën e transportit dhe ofruesit e shërbimeve të transportit në parim nuk u kërkohet t’i nënshtrohen një testimi. Kur vendet anëtare u kërkojnë atyre që t’i nënshtrohen një testi, duhet të përdoren teste të shpejta. Personat që jetojnë në rajone kufitare dhe kalojnë kufirin çdo ditë ose shpesh, për shembull për punë, studim ose arsye familjare, nuk duhet t’u nënshtrohen testimit ose karantinës / izolimit të vetvetes.

Për vendet e treta si Ballkani Perëndimor udhëtimet janë të shkurajuara. Mund të udhëtojnë shqiptarët që kanë familjarët e tyre rezidentë në Bashkimin Europian, apo me një leje qëndrimi afatgjatë, personat që udhëtojnë për punë, studentët dhe personat që kanë çështje emergjence shëndetêsore. Por të gjithë do t’u nënshtrohen tashmë një testimi (me rezultat negativ) 72 orë para udhëtimit. Shtetet anëtare mund të kërkojnê gjithashtu testim në mbërritje dhe karantinim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu