Komiteti Teknik që u mblodh ditën e sotme pas përfundimit të masave të mëparshme, ndryshe nga sa pritej pas rritjes së ndjeshme të viktimave dhe të infektuarve me Covid, vendosi që të qëndrojmë me po të njëjtat masa. Orari policor do të vijojë nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Zv/mininstrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha sot se ka pasur një rënie të lehtë të të infektuarve, gjë që tregon se masat e marra kanë bërë efekt.

Megjithatë në bazë të shifrave të konstatuara nga vetë Ministria e Shëndetësisë nuk shihet ndonjë ulje në krahasim me më parë.

Në bazë të shifrave sot që flasim, numërohen në total 1,715 të vdekur nga COVID. Ndërsa më datë 1 shkurt numri total i viktimave ishte 1380. Që do të thotë se në një hark kohor prej 25 ditësh, pra vetëm në muajin shkurt kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit plot 335 persona.

Për më tepër është arritur 2 herë brenda një jave, shifra rekord prej 19 viktimash në ditë. Këtë e konstaton edhe mjeku Ilir Dasho.

Në një status në Facebook, ky i fundit shprehet se “dje u arrit sërish vlera 19 e vdekjeve të raportuara (ndonëse shqiptarët e kanë të qartë tashmë se vdekjet e raportuara janë vetëm një fraksion i vdekjeve reale). Ky tregues i zymtë ishte arritur edhe në datën 24 nëntor, 5 dhjetor dhe 19 shkurt. Hera e parë që brenda një jave arrihet dy herë shifra maksimale e humbjes së jetëve.

Së treti, dje u arrit mesatarja 7 ditore më e lartë e vdekjeve gjatë gjithë epidemisë me 16.5 vdekje të ndodhura mesatarisht çdo ditë. Në 1 shkurt kjo mesatare ishte 9.8 vdekje ditore, pra një rritje gati 70% brenda më pak se një muaji. Rritja e mesatares ditore të vdekjeve tregon se numri i djeshëm prej 19 humbje jete nuk është rastësi por tendencë tashmë e konfirmuar,” shkruan Dasho.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu