Dy ditë pas gjetjes së tyre në qytetin e Përmetit, është zbardhur dëshmia e dy vajzave 16-vjeçare nga Tirana, të cilat humbën kontaktet me familjet më 1 Janar të këtij viti.

Burime nga policia pohuan se vajzat kanë thënë se një vendim i tillë është marrë prej tyre për shkak të sjelljeve të familjarëve dhe se donin t’ju jepnin një mësim.

Familjet tona grinden shpesh, disa herë na bërtisnin edhe neve. U zunë edhe natën e Vitit të Ri. Nga shtëpia kemi ikur me dëshirë. Donim t’u jepnim një mësim familjeve. Me vete kishim 400 mijë lekë të vjetëra, janë kursime që i kemi mbledhur ne vetë. Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit. E njohim mirë atë zonë sepse është vendlindja e gjyshërve, kemi shkuar disa herë më parë për pushime. Kemi fjetur në disa hotele, na mbaruan lekët dhe kishim vendosur të ktheheshim dhe t’i tregonim policisë”, thanë vajzat para policisë.

Mësohet se policia ka rënë në gjurmët e të miturave pas disa telefonatave që janë bërë për vendndodhjen e tyre ndërsa burime bëjnë me dije se njëra prej këtyre telefonatave është bërë pikërisht nga pronari i hotelit ku ato kishin pronotuar. Ky i fundit ka rrëfyer se në biznesin e tij kanë shkuar dy vajza që nuk ishin të shoqëruar nga familjarët.

Pas gjetjes së tyre, të miturat u morën në pyetje në praninë e një psikologut dhe pasi janë takuar me familjarët në Tiranë, policia i dërgoi në një qendër sociale dhe do të qëndrojnë aty deri në sqarimin e plotë të shkaqeve dhe rrethaneve që kanë detyruar vajzat të marrin një vendim të tillë.

Ajo çfarë ka habitur hetuesit është kërkesa e vetë të miturave për të mos shkuar në shtëpitë e tyre pasi kanë shprehur frikën se do të dhunohen nga prindërit. Në lidhje me lajmet që kanë dalë se vajzat janë parë në shoqërinë e një të rrituri apo që kishte dyshime se mund të ishin trafikuar, janë hedhur poshtë. 46-vjeçari që është parë në shoqërinë e vajzave ka qenë shoferi i njërit prej furgonëve me të cilët kanë udhëtuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu