Flet për “Mapo” babai i Klement Pepaj dhe i ati i Danjel Pepajt. Familjet do të ngujohen pasi i tremben hakmarrjes.

Të gjithë banorët e fshatit Vrith të Malësisë së Madhe janë të bindur: Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj janë vrarë. Gjithçka ka nisur më datën 1 tetor. Një sherr mes dy të rinjve dhe Danjel Pepajt në një nga lokalet e fshatit.

Bëhet fjalë për 50 kg kanabis që 3 shokët u konfliktuan me njëri-tjetrin, pasi akuzuan Danjelin se i kishte vjedhur.

Më datën 3 tetor Danjeli telefonon Klementin dhe Vilsonin që të takoheshin në malet e fshatit dhe se do u jepte hashashin që ata e akuzonin. Atë mbrëmje banorët kanë dëgjuar të shtëna armësh në ato male.

Burime nga Policia e Shkodrës, i thanë gazetës Mapo se të gjitha pistat të çojnë tek vrasja.

Autori i dyshuar është Danjel Pepaj i cili është parë mbrëmjen e 3 tetorit duke lëvizur në Shkodër. I riu dyshohet se edhe i ka varrosur shokët, duke e bërë të vështirë gjetjen e trupave.

Ndërkohë “Mapo” kontaktoi me familjarët e 3 djemëve të zhdukur.

“Më kanë çuar fjalë, që djalin ma kanë vrarë”, është shprehur babi i Klement Pepajt. Një traditë e Kanunit vijon të zbatohet në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe, ku pas një vrasje lajmërohet familja, por ajo që është fshehur, ka të bëjë me vendin e vrasjes, apo ku ndodhet trupi i 21-vjeçarit.

Ndërkohë Nush Pepaj, babai i Danjelit, thotë se shteti po i fut në gjak.

“Ku e di shteti që i ka vrarë djali im. Ne po futemi në gjak. Jemi të afërm me familjet e dy djemve. Pa folur me djalin nuk them dot asgjë. Nëse e ka bërë nuk është djali im, nëse jo, duhet të më kërkojnë falje“, – tha nëpërmjet telefonit Nush Pepaj.

Nga ana tjetër 25-vjeçari Danjel Pepaj është i vetmi që mund të shpjegojë çfarë ndodhi, por dyshohet se është larguar drejt Malit të Zi.

Disa familje janë ngujuar në këtë fshat. Të gjithë kushurinj me njëri-tjetrin, ata i tremben ndonjë hakmarrje, prandaj edhe policia vijon të qëndrojë në Vrith të Malësisë së Madhe.

Kanabisi duket se ka prodhuar të tjera viktima në vend, ku dyshohet se dy janë vrarë ndërsa një tjetër i zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu