Ministria e Shëndetësisë ka shkarkuar nga puna sanitaren e spitalit Shfeqet Ndroqi e cila duke u hequr si infermiere, i kishte marrë 8 mln lekë vajzës së një pacienteje të prekur me COVID e cila merrte trajtim mjekësor pranë këtij spitali.

Vajza e një zonje 55-vjeçare, e cila humbi betejën me Covid pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, denoncoi faktin në media mbrëmjen e sotme, se si sanitarja e këtij spitali, i kishte marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., tē spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund. Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.

MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon”, thuhet në njoftimin e MSH.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu