Liridon Mulaj është djali nga Fushë Arrëza, që gjithnjë e më tepër po tërheq vëmendjen e dashamirësve të librit dhe letërsisë me krijmtarinë e tij në poezi dhe prozë. Autor i tre veprave të mirëmpritura nga lexuesi dhe kritika, Liridoni së fundmi ka botuar romanin “Mos harro të më kujtosh”, në kuadër të së cilit kemi zhvilluar këtë intervisë , pa lënë pas raportin që shkrimtari ka me vetminë dhe muzën e frymëzimit.

1) Romani i mëparshëm “Kërkohet një vrasës”, siç jeni shprehur dhe ju, është bazuar në një histori të vërtetë(ngjarja e një vajze të vogël që nuk jeton më), po “Mos harro të më kujtosh” a është një e vërtetë që gjendet mes rreshtash? A gjenden “grimca Liridoni” në këtë roman?
“Kërkohet një vrasës e kam thënë dhe më parë ka qënë një roman eksperimental në formën e prozës së gjatë poetike. Një projekt i shkruar më së shumti me shpirt për të përmbushur një “amanet” timin të brendshëm. Ndërsa romani “Mos harro të më kujtosh” i përket një fashe të gjërë karakteresh të cilat janë përthithur për të ndërtuar një personazh siç është Tadori dhe personazhet plotësuese ose episodike siç janë Taso, Ana, Tezja , Donaldi apo lypsari. Ky roman është një realitet që më ka mbështjellë herët në rininë time dhe Tadori nuk është asgjë tjetër veç se shumësia e njerëzve dhe e përjetimeve fragmentare me të cilët jeta më ka përballur.


2) Çdokush ka muzen e tij të frymëzimit, për ju cila ka qenë muza që është shkrirë në penë dhe më pas në vargje, mes rreshtave që përshkruajnë ngjarje?
Muza në krijmtari është një farë qetësie apo sigurie për të përmbushur atë liri që kërkohet për të krijuar në qetësi. Për shumë kohë vetmia ime përkthehej në muzë , pra në një farë gjendje të përhershme trishtimi dhe pesimizmi, por me kalimin e kohës vetmia shkoi drejt zvetnimit dhe vendin e saj e zuri dashuria. Dhe unë sot krijoj në sajë të kësaj dashurie.
3) Në rast se do të jepej mundësia për të mos harruar kurrë një poezi, ose prozë të shkruar nga ti, kë do të zgjidhje?
Dhe pse memoria ime i ka tretur disa poezi të hershme, naive e të ngurta, do zgjidhja të mos harroja çdo poezi e cila më ka dalë nga shpirti në vargje pa kaluar nëpër filtrin e arsyes. Arsyeja mendoj se e vret poezinë.
4)Dikush ka thënë se poeti ka nevojë për pak vetmi dhe qetësi për t’i dhënë jetë, ndjenjë poezisë, a është vetmia “çelsi” yt i sekretit, çfarë simbolizon vetima për ju? Çfarë mendon për “cilësimet” si i errët në atë çka shkruan?
Vetmia është kushti kryesor dhe jetik i të krijuarit. Procesi i përpunimit të krejt asaj çka përthithim përgjatë kohës kur jemi në kontakt me jetën dhe vrullin e përditshmërisë. Vetmia të shërben për të sistemuar në memorie ngjarjet dhe përjetimet e më pas për t’i shkruar sipas një rendi të caktuar kronologjik. A më ka shërbyer kjo vetmi për të qënë i errët në krijmtari? Besoj se po, këmbë e krye poezitë e mia të errëta janë produkt i asaj vetmie të gjatë dhe të çmendur e cila fatmirësisht tashmë ia ka lënë vendin dashurisë me të gjithë trajtat dhe format e saj.

Kjo intervistë për shkak të situatës në të cilën ndodhemi është zhvilluar online. Falenderojmë Liridonin për dashamirësinë dhe gadishmërinë e treguar për t’u përgjigjur pyetjeve tona.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu