Një 37-vjeçar me origjinë shqiptare, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti europian, u arrestua nga Policia spanjolle dhe u ekstradua drejt Italisë.

Bëhet fjalë për Sokol Memetaj, i cili akuzohet për përfshirje në organizata kriminale me synim trafikun e drogës, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata e Firences.

Ai ishte dënuar në vitin 2013 me 6 vite burg për akuza të ngjashme nga Gjykata e Pordenone. Arrestimi dhe ekstradimi i djeshëm vjen në kuadër të operacionit “Los Blancos”, i kryer në shtator të vitit 2020, pas së cilës një kartel droge i përbërë nga rreth 30 shqiptarë, i quajtur “Kompania Bello”, u godit nga një operacion i gjerë policor në disa shtete.

Ata ishin përfshirë në importin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Latine. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Los Blancos”, u zbulua nga hetuesit italianë se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “Kompania Bello”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Europën.

Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 ton kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.

Biznesmeni Eldi Dizdari, i njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi, ishte një nga të arrestuarit si pjesë e kartelit të kokainës që u godit nga Europol gjatë operacionit “Los Blancos”. Dizdari, emri i të cilit u përfol në nëntor të vitit 2018, kur edhe u shpall në kërkim policor për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok, u arrestua në Dubai.

Policia e Dubait ka dhënë detaje për arrestimin e tij, si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Europës. Mediat vendase citojnë Policinë e Dubait, sipas të cilës shqiptari Dizdari, i kërkuar nga autoritetet italiane u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Los Blancos”.

Ai akuzohet për bashkëpunim kriminal dhe drejtim të bandës të trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar. Eldi Dizdari konsiderohet nga Policia e Dubait si një udhëheqës i bandës shqipfolëse “Kompania Bello”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu