Elbasani ngjan mbrëmjen e sotme si një qytet në mes të Siberisë. Prej dekadash, qyteti nuk ka njohur stuhi dëbore si kjo që po përjeton aktualisht. Jo se në qytet nuk ka rënë dëborë apo nuk ka pasur ngrica. Por zakonisht këto kanë qenë të ndara. Ose ka rënë dëborë normalisht, ose ka bërë ngricë.

Por sonte situata ndryshon. Jashtë bien stuhi dëbore ndërsa fryn vazhdimisht erë e acartë. Për shkak të erës, që fryn dhe që vjen direkt nga malet, temperatura në qytet ka zbritur nën zero.  Ngrica ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe po sjell probleme.

Por nuk mbaron me kaq. Acari në Elbasan do të vazhdojë, madje më keq akoma. Nga nesër, e diel 14 shkurt, temperatura në qytet do të jetë -5 gradë Celsius, të hënën -8, të martën -9, të mërkurën -8 dhe të enjten -1 gradë. Moti pritet të ngrohet vetëm nga e premtja.  Në zonat malore termometri pritet të shënojë më shumë se -15 gradë nën zero.

Të hënën dhe të martën pritet të mos ketë reshje. Por temperaturat e ulëta do të bëjnë që bardhësia e dëborës të mbretërojë kudo.

Gjithsesi le të ngushëllohemi me thënien e vjetër se kur bie borë dhe bën ftohtë, vjen një verë dhe vit i mbarë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu