Nga Ahmet MEHMETI

Gjelbërimi urban është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në mirëqenien e komunitetit me shërbimet e shumta që u ofron njerëzve nga përfitimet që vinë prej tij. Duke bërë klasifikimin e shërbimeve të ekosistemit dallohen shërbimet rregullatore, ato furnizuese, shërbimet kulturore dhe mbështetëse.

Këtu po trajtojmë si më aktuale vetëm të parat, shërbimet rregullatore, prej të cilave përfitojmë përmirësimin e cilësisë së ajrit, procesin rregullator të klimës dhe ujit, pengimin e permbytjeve nga vërshimi i prrenjve e lumenjve, parandalimin e grryerjeve dhe shembjes së tokës, shpateve të lumenjve, kodrave dhe maleve etj (erozionit), pjalmimin dhe zbutjen e ndikimeve të rreziqeve natyrore si sëmundjet e ndryshme të njerëzve, kafshëve dhe bimëve (epidemi, pandemi) etj.

Aktualisht vërehet sa shumë vuajn njerëzit nga ndotja e ajrit në zonat industriale, veçanërisht në atë të ish Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Ndotja industriale përfshin qytetet e Elbasanit, Cerrikut, Belshit, Peqinit dhe deri në Rrogozhinë e Lushnje. Parametrat e ndotjes industriale arrijnë shifra të frikëshme në qytetet dhe fshatrat në periferi deri në katerfishin e normës së lejuar të Bashkimit Evropian. Ndikimi në shëndetin e njerëzve është shumë i madh dhe kostot shëndetësore, të paaftësisë në punë, mjedisore dhe ekonomike janë shumë të larta.

Një nga masat lehtësuese zbutëse më efikase është edhe shtimi e përmirësimi i gjelbërimit të terreneve pa bimësi si dhe anës lumit Shkumbin dhe prrenjve që derdhen në te. Një faktor shumë aktual për mirëmenaxhimin e gjelbërimit urban është trajtimi i bimësisë ekzistuese me krasitje të ndryshme. Në stinën e dimrit bëhen krasitjet e drureve zbukurues për formimin e kurorave ku duhet t’i kushtohet kujdes jo vetëm anës estetike që po e po, por edhe dhënies së formës sa më efikase për marrjen e shërbimeve rregullatore maksimale , klimatologjike dhe të ajrit si prodhimi i oksigjenit, sekuestrimi i karbonit /heqja e dioksidit të karbonit (CO2 ) dhe gazrave të tjera nga atmosfera, dhe përfitimi i energjisë së konservuar nga drurët zbukurues (pemët), pra ulja e temperaturave ekstreme gjatë verës me anën e hijes së tyre etj.


Vitet e fundit, në periudhën dimërore vërehet se krasitja e drurëve nga ana e Bashkise Elbasan në disa rrugë bëhet jashtë rregullave teknike, në shumicën e rasteve me masakrim të gjelbërimit urban, duke i kthyer drurët zbukurues në trungje për dru zjarri. Kjo dëshmon se në menaxhimin e gjelbërimit nuk emërohen specialistët përkatës ose abuzohet, me një pasuri publike si kjo, për qëllime të përvetësimit të pamerituar.

Për t’i prerë rrugën këtyre praktikave të dëmshme, krahas të tjerave, shoqata mjedisore Klubi Ekologjik Elbasan ndërmori projektin “Mushkëri të Gjelbëra për Qytetet Tona” në bashkëpunim me Co-PLAN dhe MILIEUKONTAKT ALBANIA Tiranë si dhe dy shoqatave nga Durrësi dhe Shkodra, të mbështetura nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.
Për të pasur një tabllo të qartë dhe të saktë, për herë të parë në Shqipëri gjatë viteve 2019-2020, në kuadrin e këtij projekti kemi bërë identifikimin e drurëve zbukurues (pemëve), matje të tyre në lartësinë e gjoksit, , llogaitjen e diametrit etj si dhe po llogarisim vlerën ekonomike totale për të nxjerrë vlerën monetare të përdorimit të shërbimeve rregullatore duke u mbështetur në një metodikë shkencore nga më të përparuarat të kohës sonë.

Nga matjet rezulton se një dru zbukurues (pemë) deri në moshën 10 vjeç prodhon 6 kg oksigjen ( O2) në vit, deri 30 vjeç prodhon 8, 7 kg /vit, në moshën deri 60 vjeç deri 15,2 kg/vit dhe në 90 vjeç deri 26.5 kg/vit etj;. Kostoja për 1 kg oksigjen është 3 dollarë. Vlerësimi i përthithjes së gazit karbonik CO2 shkon në 40 Euro për Ton. Kështu veprohet edhe për përthithjen dhe shmangien e përhapjes së PM-ve, O3, NO2, SO2 në lekë/vit. Gjithashtu po veprohet edhe për përthithjen dhe menaxhimin e ujrave të shiut në litra dhe kursimet energjitike nga hijezimi dhe mikroklima (e drurëve pranë objekteve) duke e llogaritur me 7,4 lekë/kWh.

Puna po vazhdon për nxjerrjen e vlerës ekonomike dhe monetare përfundimtare në rang qyteti të Elbasanit si dhe rekomandimet për një menaxhim sa më racional me përfitime maksimale jo vetëm ekonomike por edhe ekologjike, shëndetësore, turistike etj.

Me përfundimin e këtij projekti pushteti vendor do ketë mundësinë të zbatoj rekomandimet për zgjidhjen sa më racionale të problematikave komplekse që do t’i vlejnë shtimit të gjelbërimit urban, zgjedhjes së llojeve sa më të larmishme, sidomos nga trashëgimia autoktone që e pasuron diversitetin por edhe shton vlerat estetike, shmangien e betonizimeve në rastet e rivlerësimeve (rikualifikimeve) urbane etj dhe mbi të gjitha shtimin e përfitimeve nga shërbimet e ekosistemeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu