Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në Korçë ku tre persona hynë të armatosur në shtëpinë e kambistit Shefqet Muça.

Ky i fundit së bashku me gruan dhe me djalin e tij janë përleshur fizikisht me autorët, ndërsa një prej grabitësve e kanë dhunuar dhe e kanë shtrirë në tokë, deri në mbërritjen e policisë, që i vuri prangat.

Si kambisti Muça, ashtu dhe një prej grabitësve u çuan për mjekim në spital, ndërsa lëndime më të lehta ka marrë bashkëshortja dhe djali i kambistit, që po ashtu kanë parë të gjithë skenën.

Dy grabitësit e tjerë kanë mundur tia mbathin nga vendngjarja, së bashku me sasinë e parave të marra nga banesa, shuma e të cilave nuk dihet ende. Kjo është hera e katërt që banesa e Muços grabitet, ndërsa ngjarjet zakonisht kanë mbetur të pazbardhura nga ana e Policisë.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Më datë 11.01.2021, rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e “Bilbilave”, Korçë, tre persona dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë shtetasit Shefqet Muço, me profesion kambist, një sasi lekësh para banesës së tij.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë, bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, i cili ndodhet aktualisht për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre.

Ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë, të cilët kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet.

Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës si edhe po kryhen veprime të tjera hetimore, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu