Dy persona nga Durrësi janë arrestuar në Gramsh, pasi u kapën duke transportuar 4 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 400-500 euro për person.

Në kuadër të operacionit të koduar “Panda” në pranga u vunë shtetasit H. H., 35 vjeç dhe R. D., 28 vjeç, të dy banues në Durrës.

“Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Gramshit, duke transportuar me mjetin e tyre, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 4 shtetas sirianë e palestinezë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Korçë, nëpërmjet kufirit jeshil nga shtetit grek”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dy personat e arrestuar do t’i transportonin sirianët dhe palestinezët, kundrejt fitimit që varionte 400-500 euro për secilin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Malit të Zi, me destinacion final një nga vendet e BE-së.

Rreth 4 muaj më parë në Gramsh 2 klandestinë sirianë humbën jetën, pasi makina që po i transportonte ata u rrëzua në humnerë, ndërsa 7 persona të tjerë u plagosën.

Prej disa vitesh, vendi ynë është përdorur si trnzit për emigrantët e vendeve të Lindjes së Mesme, për të shkuar drejt Bashkimit Evropian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu