Naftëtaret e Ballshit ndodhen sot në ditën e dhjetë të grevës dhe deklarojnë se gjendja e tyre është mjaft e rënduar.
Ftesat e kryeministrit Rama për të dalë nga greva e për të biseduar, ato i kanë cilësuar i heshtje nga ana e tij pasi për to çështja e pagave është e panegociueshme. Ditën e sotme nënkryetari i sindikatës është shprehur se po mendohet që grevës t’i bashkohen edhe fëmijët.
“Jemi shumë keq po na vret stresi dhe heshtja e kryeministrit Edi Rama. Mos na detyroni që të sjellim edhe fëmijët këtu. Për ne pagat janë të panegociueshme. Ne do të vazhdojmë grevën e urisë dhe që këtu dalim vetëm të vdekura”, janë shprehur gratë naftëtare.
Ndërkohë nënkryetari i Sindikatës së naftëtarëve tha se nga e hëna është menduar që grevës së urisë t’i bashkohen fëmijët dhe familjarë të tjerë.
“Gjendja është katastrofë. Mbrëmë kam qëndruar pranë tyre, ndërsa sot gjendja është më e rënduar. Nga e hëna kemi menduar të sjellim fëmijët, përderisa zoti kryeministër nuk reagon. Zoti kryeministër thirrje nga ky shesh, merr masat dhe jepi zgjidhje kësaj katastrofe që po bëhet nga naftëtaret”, deklaroi nënkryetari i Sindikatës së naftëtarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu