Në spitalin Rajonal të Shkodrës në repartet e dedikuara për të sëmurët me Covid janë 14 pacientë të shtruar. Gazetari Simon Shkreli raporton se në 24 orët e fundit 70 persona kanë kërkuar ndihmë, pasi kanë qenë të dyshuar me virus. Ndërkohë, pas ekzaminimit, vetëm 6 prej tyre janë shtruar për mjekim më të specializuar.

Drejtori i Spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti ka dhënë detaje për situatën aktuale në këtë spital. Dajti deklaron se janë të përgatitur dhe beson se ka kapacitete të mjaftueshme.

Kemi kohë që jemi përgatitur. Aktualisht kemi 14 të sëmurë në repart. 13 janë te reparti i Infektivit. Kapacitete janë. Jemi të përgatitur për një numër shtretër 90. Kapacitetet besoj se janë të mjaftueshme. Për sa i përket mjekëve, i ka infeksionistët dhe reanimatorët e mirëfilltë, po ashtu edhe pneumologë. Janë përgatitur në Tiranë edhe mjekë të tjerë. Po kështu edhe infermierët”, thotë ai.

Dajti i është përgjigjur gjithashtu edhe deklaratave të një familjari ditën e djeshme, i cili denoncoi se të afërmit të tij i janë hequr aparaturat. Kreu i spitalit i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se është e kuptueshme që familjarët nuk i kuptojnë dot procedurat.

“Pretendimi i familjarëve dua ta hedh poshtë me mirësjellje. Familjarët nuk janë të fushës që ta kuptojnë. Këtu të gjithë shtretërit kanë oksigjen të instaluar. Jo çdo aparaturë është ajo që lidhet me oksigjenimin që janë të lëvizshme. Ato lëvizin nga një pacient në tjetrin, por nuk do të thotë që hiqet aparatura”, deklaroi mjeku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu