Rriten në mënyrë të frikshme shifrat nga koronavirusi në Shqipëri, teksa në 24 orët e fundit janë regjistruar numra rekord testimesh dhe infektimesh, ndërkohë që janë shënuar 5 viktima, po aq sa edhe ditën e djeshme. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë realizuar 1351 testime, si asnjëherë më parë dhe janë zbuluar 203 raste të reja me covid-19, rekord deri tani.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 68 raste në Tiranë, nga 17 raste në Fier, Korçë, 15 në Elbasan, 14 në Berat, 12 në Lezhë, 10 në Durrës, 9 në Lushnje, 6 në Pogradec, nga 5 raste në Vlorë, Sarandë, nga 3 raste në Gramsh, Kuçovë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Mirditë, Tepelenë, Roskovec, nga 1 rast në Krujë, Kavajë, Librazhd, Mat, Fushë-Arrëz, Selenicë, Bulqizë, Shijak, Vorë.

Ndërkohë që 5 persona nuk kanë arritur që të fitojnë luftën me koronavirusin. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur luftën me COVID19, një 59 vjeçare nga Elbasani, një 79 vjeçare nga Vlora, një 87 vjeçare nga Tirana dhe dy qytetarë nga Durrësi 66 dhe 85 vjeç. Lajmi i mirë është se 87 qytetarë kanë arritur që të mposhtin sëmundjen. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 239 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton se nga nesër “maska ose barriera mbrojtëse prej tekstili bëhet e detyrueshme edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit. Bëjeni mbajtjen e maskës pjesë të sjelljes tuaj të përditshme për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj. Mos neglizhoni për asnjë moment ruajtjen e distancimit fizik prej të paktën 1.5 m dhe kujdesuni për higjienën personale.

Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për shërbim psikologjik te specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth COVID19” mbyllet apeli.

COVID-19 – Statistika (14 Tetor 2020)
Raste të reja ditore 203
Të shëruar ne 24 orë 87
Humbje jete në 24 orë 5
Testime ditore 1351

Testime totale 102,004
Raste pozitive 15955
Raste të shëruara 9762
Raste Aktive 5759
Humbje jete 434

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 2890
Durrës 593
Shkodër 426
Korçë 325
Fier 306
Lezhë 290
Elbasan 246
Vlorë 208
Berat 168
Kukës 159
Dibër 82
Gjirokastër 66

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu