Arbër Çekaj ka reaguar për herë të parë për arrestimin e babait të tij në 1 prill, pasi Policia gjeti dhe sekuestroi 49 kilogramë kokainë në portin e Durrësit, të fshehura në ngarkesën me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të firmës së Çekajt në Maminas, “Ecoalmax”.

Arbër Çekaj hedh akuza se po i masakrohet familja dhe ngre dyshimin se “është një klan i caktuar që kërkoj të përfshijë familjen tonë në trafik”.

Arrestuat babain e kulakut! Edhe brenda familjes nuk po na trajtojnë njëlloj.

Mua ma çuan kontenierin në magazinë në Maminas, ndërsa babait ia hapën në port. Kjo tregon që është një klan i caktuar që kërkoj të përfshijë familjen tonë në trafik.

Babai im është 72 vjeç, profesor i nderuar. Po masakrohet gjithë familja ime“, tha ai.

ARRESTIMI I SELIM ÇEKAJ

Familja Çekaj edhe një herë tjetër ka rikthyer historinë e trafikimit të kokainës përmes kontejnerëve me banane.

Dje, në pranga u vu Selim Çekaj, pasi Policia kapi 49 kilogramë kokainë në portin e Durrësit, të fshehura në ngarkesën me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të firmës së Çekajt në Maminas, “Ecoalmax”.

Operacioni për sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e Selim Çekaj ka nisur në orën 2 të mëngjesit të së enjtes nga Policia e Shtetit, ku prezent ka qenë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.

Arbër Çëkaj u arrestua në Gjermani, pasi u kap me 613 kg kokainë

Arbër Çekaj u arrestua si përgjegjësi kryesor i trafikimit të lëndëve narkotike të sasive të mëdha që importohej nga Amerika Latine. Tre vite më parë dhe konkretisht me datën 27 shkurt 2018, Policia sekuestroi një sasi shumë të madhe kokaine që ishte importuar bashkë me ngarkesën e bananeve që ishin porositur nga vetë Arbër Çekaj, asokohe administrator i kompanisë “Arbri Garden”.

Menjëherë sapo Policia sekuestroi dhe i pezulloi licencën kompanisë “Arbri Garden”, babai i tij, Selim Çekaj krijoi një kompani me emrin “Ecoalmax”, me anë të së cilës vazhdonte punën e importit të bananeve nga Amerika Latine.

Në lidhje me sekuestrimin e 613 kg kokainë, veç Arbër Çekaj u arrestuan edhe vartësit e tij Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, të cilët bashkë me Çekajn dyshohet se kanë siguruar transportin nga Kolumbia në portin e Durrësit për ta kaluar më pas në tregun Europian.

Prokuroria kishte kërkuar 21 vite burg për Çekajn, kërkesë e cila u pranua edhe nga Gjykata, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Çekaj përfitoi ulje të dënimit me një të tretën, duke u dënuar përfundimisht me 14 vjet burg. Çekaj i mohoi vazhdimisht akuzat, duke mos e pranuar përfshirjen e tij në trafik.

Ndërkohë Donald Lushaj, administratori i “Arbri Garden” u dënua me 16 vite, teksa i shkurtohet në 10 vite e 8 muaj. Për shoferin e kamionit që çoi kontejnerin në magazinën e tij, Armando Pezaku, u dha dënimi me 13 vite burgim, dhe i ulet në 8 vite e 8 muaj.

Ata u dënuan për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim. Avokati Maks Haxhia pas seancës deklaroi se nuk pati asnjë provë dhe Çekaj është i pafajshëm për akuzat që i janë ngritur, teksa e cilësoi procesin gjyqësor si komik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu