Nëse i hedhim një vështrim tregut të punës në Gjermani, rezulton se numri i të papunëve nga dhjetori 2019 e deri në korrik 2020 është rritur me mbi 682 000. Gjatë kësaj periudhe kanë dalë nga tregu i punës edhe rreth 13 mijë vetë me prejardhje nga Ballkani Perëndimor. Ekonomia tani po rehabilitohet disi, por shumë eksperte parashikojnë se niveli i vitit 2019 do të arrihet vetëm në vitin 2023.

E megjithatë punëdhënësit gjermanë, sidomos nga sektori i shëndetësisë dhe i ndërtimit e përshëndetën vendimin e qeverisë gjermane për zgjatjen e Rregullores së Ballkanit Perëndimor, në gusht 2020. Thomas Greiner, president i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë në sektorin e Kujdesit Shëndetësor, tha atëherë në media se “Gjermania çdo vit ka nevojë për 30.000 kujdestarë shëndetësorë nga jashtë“.

Punëdhënësit e kritikuan kufizimin që i vuri qeveria gjermane rregullores së re, për të dhënë çdo vit më së shumti nga 25 000 viza pune, sipas rregullore së Ballkanit Perëndimor. Në një deklaratë të nxjerrë në fillim të gushtit 2020, Shoqata Federale e Punëdhënësve Gjermanë (BDA) shkruante se ky limitim ishte “i panevojshëm”.

Që punëdhënësit janë shumë të interesuar për punëtorë nga Ballkani Perëndimor, kjo mund të shpjegohet edhe me çmimin e tyre. Nga përgjigja e qeverisë ndaj pyetjes së deputetëve të AFD-së, del në pah se diferenca e pagës mujore mes një gjermani dhe një ballkanasi shkon deri në 1600 euro në muaj. Sa më i lartë kualifikimi, aq më e madhe diferenca.

Ndërsa rroga mesatare e një Gjermani është 3509 euro në muaj (31.12.2019), Ballkanasit fitojnë mesatarisht rreth 900 euro më pak (2 611). Kjo diferencë duket se është rritur në këtë dhjetëvjeçar. Sepse në vitin 2010 diferenca e rrogës mesatare të një ballkanasi (2 197) dhe një shtetasi gjerman (2 725) ishte vetëm 500 euro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu