Nga Fatjona Mejdini për Al Jazeera

Sabire Plaku dyshon për çdo të huaj që vë këmbë në fshatin e saj të largët, Labinot, në Shqipërinë e Mesme.

Nëse sheh vizitorë, ose dëgjon për ardhjen e tyre, 78-vjeçarja ndalon gjithçka që bën dhe del me nxitim nga shtëpia që ndan me vajzën e saj, kalon përmes një kopshti me perime, pemë frutore dhe pula që vërtiteten të lira, drejt atij që dikur ka qenë muzeu i fshatit.

Me shpatullat e rëna nën një xhaketë blu të lirshme, me mëngë të varur, Sabirja ndalon dhe mbushet me frymë.

Edhe pse shtëpia e saj ka pamje nga ish-muzeu, ajo duhet të ecë 100 metra para se të ngjitet në një shpat të pjerrët me baltë për të arritur aty.

Përgjatë tre dekadave të fundit, Sabirja ka shërbyer si kujdestare e strukturës së braktisur dykatëshe në qendër të Labinotit dhe e statujës prej bronzi tre metra të gjatë, që qëndron e fshehur në bodrumin e saj — një statujë e udhëheqësit të parë komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Ish-diktatori qeverisi brutalisht vendin e vogël të Evropës Juglindore nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij më 1985.

Qindra portrete të tij ishin të vendosura në të gjithë vendin gjatë dhe pas asaj kohe, por tani, kjo statujë që Sabirja e ruan me aq kujdes është statuja e fundit e padëmtuar.

Rreth 6,000 banorë jetojnë në Labinot, në bashkinë e Elbasanit.

Rruga që të çon atje — si edhe ato brenda fshatit — është e pjerrët, e ngushtë dhe jo e mirëmbajtur.

Njerëzit merren me bujqësi dhe blegtori për të siguruar jetesën, ndërsa shumë të rinj emigrojnë përkohësisht në Greqi dhe Itali për të gjetur punë.

Banorët janë të kujdesshëm, posaçërisht ndaj njerëzve që interesohen për muzeun e vjetër.

Me kalimin e viteve, ata që kundërshtojnë trashëgiminë e Hoxhës e kanë vandalizuar shtëpinë për shkaqe morale, ndërsa të tjerë janë përpjekur të vjedhin statujën e Hoxhës për ta përdorur për hekurishte.

Por, pasi fshatarët sigurohen që një vizitor nuk ka ndonjë qëllim ‘të lig’, ata e ftojnë në shtëpi për kafe ose për drekë. Kur pyeten për të kaluarën historike të Labinotit, sytë e tyre gjallërohen dhe një shpërthim energjie duket se mbush trupat e tyre.

Një barrë e rëndë

Në vitin 1943, kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë, partizanët komunistë përdorën zonën malore të Labinotit si një nga bazat e tyre të luftës dhe, në mars të atij viti, mbajtën atje konferencën e parë kombëtare të Partisë Komuniste.

Kjo konferencë u bë një gur themeli për karrierën politike të Hoxhës.


Aty, ai u zgjodh si udhëheqësi i ri i komunistëve të Shqipërisë, gjë e cila hapi rrugën për udhëheqjen komuniste të vendit gjatë katër dekadave që pasuan.

Disa muaj më vonë, në Labinot u formua edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrise Nacionalçlirimtare — një organ që ndihmoi në intensifikimin e rezistencës deri në fund të okupimit.

Të dyja ngjarjet historike ndodhën në shtëpinë të cilën Sabirja tani e ruan me devotshmëri — shtëpi e cila pas luftës u shndërrua në një muze për të dokumentuar të kaluarën e saj.

Më 1968, gjatë përkujtimit të 25-vjetorit të formimit të Shtabit, para muzeut u ngrit statuja e Hoxhës në moshë të re me veshje ushtarake.

Më 1991, kur ra sundimi komunist në Shqipëri, muzeu mbylli dyert dhe statuja e Hoxhës u rrëzua.

Por iu la në dorë fshatarëve të vendosnin se çfarë të bënin me statujën.

Në vend që të shpëtonin prej saj, ata e ruajtën në bodrum, pa e imagjinuar se do të mbetej atje për dekada të tëra.

E inkurajuar nga bashkëfshatarët e saj, Sabirja ndjeu një detyrë morale për të ruajtur shtëpinë dhe statujën, në kujtim të bashkëshortit të saj të ndjerë, i cili kishte shërbyer si pergjegjes i muzeut.

Sabirja nuk e përmend politikën.

Kur pyetet për arsyen se pse vazhdon të ruajë statujën e diktatorit, ajo ngre sytë lart si e habitur nga vetë pyetja, dhe përgjigjet:

“Unë thjesht nuk mund ta flak tutje…”

Por ndërsa vitet kalojnë, dhe me kërcënimet e hajdutëve dhe vandalëve, ajo e di se është një detyrë gjithnjë e më e vështirë.

“Përkujdesja për shtëpinë dhe statujën në gjithë këto vite ka qenë emocionalisht sfilitëse dhe shumë sfiduese”, thotë ajo.

“Unë kam patur mbështetje edhe nga fqinjët, por përgjegjësia më e madhe ka qenë e imja”.

Sabirja ecën ngadalë duke çaluar.

Ajo mendon se roli i kujdestarit po bëhet një barrë e rëndë dhe do të jetë e vështirë të bartet për shumë gjatë.

Ajo mezi pret ditën kur autoritetet të marrin administrimin e shtëpisë në duart e tyre dhe të gjejnë një vend për statujën e fshehur në bodrum.

“Unë nuk i kam ruajtur shtëpinë dhe statujën për veten time, ato i përkasin shtetit dhe dua t’ia dorëzoj sa më shpejt. Është koha që ata të veprojnë dhe të na tregojnë se çfarë duan të bëjnë”, thotë ajo.

Shtëpia e ish-muzeut në Labinot, e ndërtuar në fillim të shekullit XX, zyrtarisht është njohur si një monument kulture.

Vila dy katë prej guri qëndron hijerëndë në qendër të fshatit, aq e ndryshme nga ndërtesat që e rrethojnë atë sa të krijon përshtypjen sikur ka ardhur nga një kohë tjetër.

Projektuar nga arkitektë italianë në vitet 1920-të, shtëpia i përkiste një familjeje të pasur (Baholli) nga Elbasani, që përdorej si rezidencë verore.

Në fillim të viteve 1940-të, familja ndihmoi rezistencën antifashiste dhe ia dhuroi shtëpinë Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Tashmë hyrja kryesore e saj është e mbyllur, por nga plasaritjet në derën prej druri mund të shihen korridoret e saj të gjera dhe boshe si dhe shkallët e shembura.

Njëherë e një kohë në muret e saj shfaqeshin fotografi të ngjarjeve historike, letra dhe municione të përdorura në luftën antifashiste.

Kujtimi i asaj çfarë ishte dikur është mbajtur gjallë vetëm nga statuja e rënë e Hoxhës, të cilën mund ta gjesh në bodrumin në të cilin hyjet nga një dere e pasme e padallueshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu