Nga Ermir Gjinishi

Ndonjëherë nuk e sheh veten tënde qartë deri kur të shfaqet në sytë e të tjerëve, thotë një fjalë e mënçur. Para pak ditësh, në një video e cila u bë virale brenda pak minutash, nga një automjet i vogël tip volkswagen shkarkohen furishëm plot 11 emigrantë sirianë. Duket e pabesueshme, por ngjarja nuk ka ndodhur në Kabul, as në Zimbabve, por në hyrje të qytetit të Elbasanit përgjatë rrugës Elbasan-Librazhd.
Sirianët janë viktima e rradhës në historinë njerëzore mbushur me diktarorë e tiranë, që risjellin shembullin më të keq të sjelljes sonë me njëri tjetrin “Homo homini lupus”. Dy tabllo të ngjashme, thuajse simetrike që mbivendosen. Njëra është ajo e fatkeqëve sirianë që kryepushtetari i tyre i vrau, vodhi, përdhunoi, e i dëboi nga atdheu, dhe tjetra ajo e elbasanllinjëve që kryerilindasi i mashtroi, varfëroi, përçmoi e nëpërkëmbi, për t’i degëdisur emigrantë jashtë vendit.

Shprehja guri i rëndë në vend të vet nuk vlen për qytetarët e Elbasanit që sekto-rilindja i ka dëbuar nëpër rrugët e kurbetit, motamo si dikur pushtuesit. Sipas një sondazhi të Frederich Ebert 40% e të anketuarve duan të ikin nga vendi. Referuar të dhënave të INSTAT, Elbasani është qarku i dytë me emigracionin më të lartë në vend. Niveli i lartë i papunësisë, pagat më të ulëta në rajon, standarti i ulët i jetesës, nepotizmi militantesk partiako-sektar, korrupsioni, krimi, janë hingëllimat e zhurmëshme të rilindjes që heshtojnë psherëtimat e elbasanllinjve. Rilindja e ka kthyer Elbasanin në azil të moshuarish. 70% e qarkut i përkasin moshës së tretë.

Të rinjtë po boshatisin qytetin, ata nuk e mendojnë më kthimin, duke sjellë mes të tjerash plakjen e popullsisë, dhe pasoja të parikuperueshme në skemën e sigurimeve shoqërore. Nëse në vitin 2019 INSTAT referonte papunësinë tek të rinjtë e Elbasanit 22.2%, mjafton t’i shtosh vetëm shifrat e kohës së pandemisë bazuar në të dhënat e Bankës Botërore ku papunësia në Shqipëri për 3 muaj u rrit me 25 %, për të kuptuar skamjen ku e ka fundosur këtë qytet sekto-rilindja. Po sipas shifrave të INSTAT, 671 mijë ose 23.4% e shqiptarëve janë të kërcënuar nga varfëria, por kjo shifër për Elbasanin është e dyfishtë. Vlera e një burri duket nga ajo që bën kur ka pushtetin thotë Platoni. Kjo është vorbulla e mjerimit ku e ka zhytur Elbasanin dhe të gjithë vendin kryerilindasi “komik”.

Në fillim gjej faktet, pastaj mund t’i shtrembërosh sa të duash, thonte Mark Twain. Javën që kaloi kryerilindasi, në kufijtë e një ironie e të pandreqshme dhe pamjen e një zarfi pa adresë, publikoi në faqen e tij disa vargje nga Anës Lumejve të Nolit. Se pas dimrit vjen një verë, që do kthehemi njëherë, pranë vatrës pranë punës, anës Vjosës anës Bunës. Nuk është aspak një moment sinqeriteti, por hipokrizi e thekur që konkuron edhe talljen e hasmit. Noli kritikonte pushtetin o kryerilindas, atë pushtet në krye të të cilit sot jeni ju, Më kot rrekesh të fshihesh pas hijes tënde, as i gjallë as i varrosur. Katër antitezat trishtuese noliane njëherazi janë 4 akuza ndaj sektit tuaj të rilindjes, pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë, lakuriq dhe i dregosur, trup e shpirt i sakatosur.

Kur zemra e njeriut mbushet me kaq ligësi, mendja e humb arsyen dhe sytë verbohen. Ithtarët e kryerilindasit do enden pa sy në shkretëtirat e anktheve të pasigurisë deri në 25 prill, aty ku katër akuzat noliane mbi rilindjen e sotme do marrin përgjigjen shpresëplotë edhe në Elbasan, se mileti po gatitet ndaj tirani lebetitet.

Ermir Gjinishi, 29 Shtator 2020.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu