Nga Ermir Gjinishi

Pas 8 vitesh në pushtet, në mungesë të një bilanci qeverisës, kryerilindasi ka zgjedhur si platformë politike për zgjedhjet e 2021-it, rrëke helmi me sharje e fyerje për median dhe opozitën. Kryemjeshtri i manipulimit, për t’i ikur përgjegjësisë mundohet t’i fshihet realitetit. Më kot, gropa ekonomike sociale e politike ku e ka zhytur vendin rilindja nuk mbushet dot as me recitime gallataxhinjsh as me diversione dhe demagogji.

Askush s’e ka ushtruar me drejtësi pushtetin e fituar me poshtërsi thotë Taciti. Sipas vlerësimit të BERZH, pikëzimi për mirëqeverisjen e Shqipërisë ra në 4.5 në 2020. Referuar këtij rezultati, ne jemi vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Europën Juglindore, pas Bosnjë- Hercegovinës. Sipas raportit, qeveria ka dështuar me shëndetësinë, korrupsionin, drogën, PPP-të, pastrimin e parave dhe informalitetin, ndërsa institucionet e ndëshkueshmërisë janë të kapura nga qeveria.

Shqiptarët po jetojnë kohën e mortit. Jemi të kënaqur me 50 viktima deklaronte kryerilindasja e Durrësit pas tërmetit nëntorin e kaluar, por kurrë nuk ndërmori ndonjë hap për të nxjerrë para drejtësisë vrasësit e ndërtimeve jashtë standartit. Ndërsa tani, ministresha e shëndetësisë falas deklaron se do të bëjmë seleksionim nëse rëndohet gjendja. Krim shtetëror. Në vend të shërbimit, sekto-rilindja i ofron shqiptarëve vdekjen. Çfarë keni bërë ju zotërinj që gjendja të mbahet nën kontroll?

Shifrat e vdekjeve janë të manipuluara. Gjatë muajve korrik-shtator ministria raportoi 322 vdekje ndërsa INSTAT 1300. Sigurisht shifrat janë akoma më të mëdha. Harta e përhapjes së pandemisë sot përfshin 24 bashki ku shërbimi mjeksor është katandisur si mos më keq. Vetëm në Peqin javën që kaloi vdiqën 6 persona nga Covid, ndërsa mbrëmë në spitalin psikiatrik të Elbasanit janë infektuar 10 të sëmurë.

Jemi të fundit, jo vetëm në Europë, por edhe rajon për përballimin e Covid-19. Medikamentet nuk rimbursohen, spitalet nuk përballojnë as fluksin e tamponëve. Të papunët, invalidët, njerëzit me aftësi të veçanta, familjet me asistencë, nuk kanë asnjë mbështetje financiare nga shteti. Shqiptarët po marrin kredi për t’u trajtuar nga Covid-19. Referuar të dhënave të OBSH-së kostot për t’u kuruar shtyjnë drejt varfërisë 8% të familjeve shqiptare dhe rrënojnë ekonomikisht 12% të familjeve më të varfëra.

Shqiptarët janë të varfër sepse kanë 8 vite që vidhen nga një bandë hajdutësh që po u merr dhe shpirtin. 100 milion euro ishte shuma që u është paguar koncesioneve PPP të oligarkeve të qeverisë deri në maj 2020. Ndërsa 4 oligarkët e PPP-ve të deritanishme në shëndetësi (check-up, sterilizimi, dializa dhe laboratorët), do t’i kushtojnë buxhetit plot 370 milion euro.
Strategjia botërore e trajtimit të Covid-19 testim-gjurmim-trajtim tek ne nuk ekziston. Kryevirologu jonë i partisë-shtet, me “kompetencë”, deklaron se testimet nuk kanë asnjë vlerë, duke na kujtuar se pushteti në duart e një të padituri, është si shpata në dorën e një të çmenduri. Me metoda fashiste i turret me gjoba njerëzve pa maska, ndërkohë që të diagnostikuarit positive, gjezdisin serbes rrugëve.

Njerëzit po vetëvriten nga spitalet e shëndetësisë falas, kurse kryevirologu insiston në kompetencën e tij, se kjo ndodh kudo. Ka humbur arsyen dhe ekuilibrin mendor. Askund në botë, pacientët me Covid-19 nuk hidhen nga spitalet, askund. Parrulla “shëndetësia falas” e sekto-partisë qeverisëse e ktheu sistemin e shëndetësisë në një maskaradë. Projekti i sektit të rilindjes për shëndetësinë nënkupton kondrabandë dhe tendera për oligarkët. 69 tendera në shëndetësi i janë dhënë një kompanie të vetme, 78% e të cilave pa garë, në mungesë totale të konkurrencës. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Sipas KLSH, 63% e kontratave të qeverisë janë në shkelje të rënda të ligjit.

Qeveria e hienave nuk ngopet as me vdekjen. Kryevirologu i kërkon mandatin e tretë popullit që e ka dënuar me vdekje. Ethet e kryeqeveritarit tonë dhe sektit të tij nuk janë të kovidit, por të pushtetit. Janë ethet e humbjes së pushtetit të vjedhur me paratë e krimit. Ai i ngjan një fantazme hipur mbi gërdallën që tërheq qerren e korrupsionit qeverisë. Edhe po të keni kështjella, nuk ju shpëtojnë dot nëse urreheni nga populli thotë Makiaveli. Ikni dhe lërini shqiptarët të jetojnë.

Ermir Gjinishi, 17 nëntor 2020.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu