Nga data 1 tetor Ministria e Shëndetësisë dhe task-forca anti-covid kanë vendosur që të hapin ambientet e mbyllura dhe të brendshme të bar-kafeve, restoranteve dhe pishinave. Lajm u dha më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të bizneseve në Vlorë, ndërsa në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se task-forca anti-covid ka miratuar protokollet e sigurisë për hapjen e bareve, restoranteve dhe pishinave në ambientet e mbyllura. Manastirliu theksoi se respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, ku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit në mënyrë që në këtë situatë pandemia, infektimet të shmangen sa më shumë duke respektuar rregullat.

Sipas Ministres së Shëndetësisë inspektimi për zbatimin e këtyre masave nga baret dhe restorantet pro dhe në pishinat e mbyllura do të ndiqen me rigorozitet nga task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake

“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt. Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”, tha Manastirliu.

Do të vijojnë të mbeten të mbyllura të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji.

Hapja e ambienteve të mbyllura/ Protokollet e sigurisë për baret, jo më vetëshërbim, tavolinat në 2 metra distancë dhe korridore të dedikuara për klientët

Ambientet e brendshme të lokaleve dhe restoranteve do të hapen nga 1 tetorit nën masat e rrepat anti-covid, në përcaktimin e protokollit të sigurisë për hapjen e tyre, thuhet se në varësi të sipërfaqes së të bareve dhe restoranteve duhet të sigurojnë një korridor të dedikuar për klientët deri në arkë dhe një korridor për daljen nga ambienti në mënyrë që klientët të mos ‘përplasen’ përballë mes tyre.

Nuk ka më vetë-shërbim, ndërsa lokalet duhet të shërbejnë me menu elektronike ose të plastifikuara që të dezinfektohen vazhdimisht.

Duhet garantuar distanca 1.5 metër mes klientit dhe stafit, ndërsa tavolinat duhet të jenë në distancë me njëra-tjetrën 2 metra në të gjitha drejtimet.

Nëse pagesa bëhet në arkë duhet vendosur një xham peçigllazi midis punonjësit dhe klientit

Pastrimi, dezinfektimi dhe ajrosja e bareve dhe restoranteve duhet të jetë në mënyrë të përsëritur disa herë në ditë, që nga ambientet deri tek dorezat e dyerve, tavolinat, tabakatë dhe çdo sipërfaqe tjetër. Ajrosja e tyre duhet të bëhet në mënyrë natyrale 5 herë në ditë dhe dezinfektim total të paktën 3 herë, në hapje të aktivitetit, gjatë ditës dhe para mbylljes së tij.

Asnjë personel nuk do të lejohet të punojë më temperaturë 37.5 dhe secili prej tyre është i detyruar të deklarojë nëse ka pasur kontakte me persona të infektuar. Për çdo simptome të shfaqur duhet lajmëruar mjeku i familjes ose 127, ndërsa mbajtja e maskave është e detyrueshme për personelin.

COVID-19/ Protokollet e sigurisë për hapjen e pishinave të mbyllura! Evidentimi i një rasti pozitiv mbyll aktivitetin! Me orar dhe grafik të përcaktuar, si do llogaritet numri i klientëve

Hapja e pishinave të mbyllura më 1 tetor ka sjellë edhe përcaktimin e protokolleve të sigurisë anti-covid, në mënyrë që të shmanget rritja e rasteve të të infektuarve. Ajo që theksohet që në fillim të protokollit të sigurisë për pishinat e mbyllura është se evidentimi qoftë edhe të një rasti të vetëm në strukturat e tyre do të sjellë mbyllje të aktivitetit, pavarësisht hetimit epidemiologjik.

Asnjë klient nuk do të lejohet të hyjë brenda me temperaturë 37.5, ndërsa numri i përcaktimit të personave brenda pishinave të mbyllura do të përcaktohet në bazë të kapacitetit maksimal të aktivitetit, ku një personi i takon një hapësire prej 3 metrash katrorë. Në bazë të saj do përcaktohet edhe numri maksimal i klientëve që do lejohen.

Pishinat do të jenë me orar ku do të jetë administratori i subjektit që do të përcaktojë orarin dhe grafikun e specifikuar dhe do lajmërojë klientët, ndërsa nuk do të lejohet hyrja e tyre para orarit të përcaktuar.

Peshqirët duhet të sillën nga vetë klienti dhe të përdoren vetëm nga një person, ndërsa maska është e detyrueshme si për stafin por edhe për klientin kur ai ndodhet rreth pishinës. Në hyrjen në dhomës së zhveshjes duhet të sigurohet distanca 1.5 metër. Gjithashtu në pishinat e mbyllura duhet të evitohen grumbullimet e skuadrave dhe grupeve të notit, por në rast se aktiviteti i tyre duhet kryer atëherë duhet të merren parasysh korsitë alternative duke krijuar korsi me një drejtim.

Subjekti duhet të sigurojë mjetet higjieno-sanitare, dezinfektuesit, pastruesit e duarve, pastrimin e sipërfaqe vazhdimisht gjatë ditës. Ambientet duhet të dezinfektohen minimumi 3 herë në ditë, në hapje të tij, gjatë ditës dhe para mbylljes.

Në protokollet e sigurisë thuhet se administratori i pishinës njihet me mënyrën e njoftimit për çdo rast të dyshuar me COVID-19 gjatë aktivitetit të punës si dhe kompania ka për detyrim të afishojë posterat informuese për uljen e riskut të COVID-19 dhe listën e simptomave të koronavirusit. Uji i pishinës duhet të pastrohet në mënyrë sistematike dhe të detyrueshme me sistem filtrimi si dhe të kryhet klorimi i pishinës në mënyrë sistematike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu