Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në komunikim me median ka folur edhe për rimbursimin e paketës bazë të trajtimit ambulator për pacientët e diagnostikuar me COVID19.

Manastirliu ka bërë me dije se skema e rimburimit të barnave do të nisë duke filluar që nga dita e sotme, dhe se është mjeku i familjes që do të vendose për barnat që do të marrë pacienti të cilat do të rimbursohen.

Sipas ministres është mjeku i familjes që përcakton nëse pacientët do të shkojnë në spital tek specialisti apo do të telefonojnë 127. Po ashtu, ministrja tha se mjeku i familjes përcakton se në çfarë fazë është pacienti.

“Dua që të përmend që buxheti për shëndetësinë është rritur me 23 për qind krahasuar me një vit më parë. Paketa e re nga sot ka filluar të funksionojë si skemë mjekimi, në të gjitha strukturat tona të kujdesit shëndetësor. Vlera e rimbursimit e paketës së barnave është 125 dollarë. Zbatimi i kësaj pakete ka nisur nga sot. Fondi i Sigurimeve të detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor është institucioni që do të administrojë të gjithë këtë skemë. Udhëzuesit e trajtimit (mjek i familjes) kanë pësuar rifreskime dhe do të vijojnë të rifreskohen. Mjeku i familjes do të vijojë të ketë një rol esencial në raport me mbështetjen e paketës së rimbursimit. Duke vlerësuar formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e Komitetit Ekspert. Ky udhëzues që prej një muaji është shpërndarë te qendrat shëndetësorë.

Mjeku i familjes është ai që përcakton barnat, edhe sa i përket fazës së trajtimit është mjeku i familjes që vlerëson në cfarë faze të sëmundjes është qytetari me Covid-19. Edhe sa i përket ekzaminimeve është sërish mjeku i familjes që përcakton kur bëhen ekzaminimet. Dhe është edhe më tej mjeku i familjes që vendos nëse qytetari duhet të referohet pranë mjekut specialist, ose duhet të telefonojë 127”- tha ministrja.

Qeveria shqiptare ka vendosur të kryej rimburësimin e menjëhershëm të barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19. Vlera e rimbursimit do të bëhet në përputhje me formën e sëmundjes, ku sipas udhëzimit të Komitetit të Ekspertëve do të ndahet në dy skema kryesore.

Skema e parë do të përfshijë formën e lehtë të infektimit, ku vlera e rimbursimit të paketës së barnave do të jetë jo më shumë se 1 650 lekë.

Skema e dytë do të përfshijë formën e mesme të infektimit, ku vlera e rimbursimit do të jetë jo më shumë se 10 900 lekë. Vlerësimi se cilës forme i përkasin pacientët do të bëhet nga mjeku i familjes.

VENDIM PËR MIRATIMIN E PAKETËS SË BARNAVE PËR TRAJTIMIN AMBULATOR NË BANESË TË PERSONAVE TË DIAGNOSTIKUAR ME COVID-19, QË DO TË FINANCOHET NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI: Rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.
Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.

Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu