Gjatë ditës së sotme pritet që të nisë procesi i vaksinimit në Vlorë dhe në Shkodër, përveç Tiranës, ku qendra është vendosur në ambientet e stadiumit Air Albania.

Rreth orës 09:00 pritet që të mbërrijë në Shkodër vetë kryeministri Edi Rama, ndërsa fushata e vaksinimit do të kryhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Mësohet se në këtë fazë të parë do të jenë në total 1100 vaksina nga 7020 që kanë mbërritur në Shqipëri, të cilat janë dedikuar fillimisht për personelin mjekësor.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se fillimisht në spitalin e Shkodrës do të vaksinohen të gjithë ata punonjës që punojnë në repartet e infektivit, pneumologjisë, infektivit dhe urgjencës si të gjithë nga repartat e tjera që janë mbi moshën 55 vjeç.

Po ashtu edhe të gjithë punonjësit e tjerë të shëndetësisë që janë mbi 55 vjeç në Shkodër do të vaksinohen duke qenë se janë me risk më të lartë infektimi. Ndërkohë sipas burimeve edhe stafi dhe personat rezident në shtëpinë e të moshuarve do të vaksinohen gjatë ditës së nesërme në Shkodër.

Pallati i sportit “Qazim Dervishi” të paktën për 10 ditë do të shërbejë për kryerjen e vaksinimit në fushatën “Shqipëria Buzëqesh”.

Edhe në qytetin e Vlorës nis sot vaksinimi i parë, i cili do të kryhet në ambientet e pallatit të Sportit dhe do të nisë me bluzat e bardha për të gjithë jugun. Janë 1500 vaksina që kanë mbërritur në Vlorë. Prezentë pritet të jetë edhe ministrja e Shëndetësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu