Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu theksoi sot në Kuvend se me ardhjen e dozave të vaksinave nga “AstraZeneca”, do të nisë vaksinimi i mësuesve, pasi kjo vaksinë nuk është e rekomandueshme për moshat e treta.

Për sa i përket qarkullimit të varianteve të reja të Covid në vend, ministrja theksoi se ka dyshime të forta, por ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Megjithatë numri i lartë i infektimeve të ditëve të fundit, duket se ka shkak pikërisht mutacionet më agresive të Covid.

“Prezenca e varianteve të reja kushtëzon dhe masat e pandemisë. Ende nuk është verifikuar prezenca, por ne kemi dyshime se variantet e reja qarkullojnë dhe shpejtësia e përhapjes e bën të vështirë edhe kontrollin e pandemisë nëse nuk shoqërohet me bashkëpunimin e çdo qytetari.

Vaksinimi i popullatës është objektivi ynë i përbashkët. Po vaksinojmë çdo ditë dhe me ritëm. Sot kemi më shumë jetë të mbrojtura të mjekëve në spitale ndërkaq që vaksinimi i kombinuar për moshat +80 vjeç po vijon.

Sot jemi në pritje të sasisë së radhës të kontratës së Pfizer, ku do të vijnë 15.210 vaksina. Do të vijojë vaksinimi dhe presim nga instrumenti i Covax që të mbërrijnë 14,440 vaksina të AstraZeneca, me të cilat do të fillojmë kalendarin e vaksinimit duke pasur prioritet mësuesit, në mënyrë që të kemi ecuri të mirë të edukimit të fëmijëve dhe mbrojtjes së mësuesve”, tha ministrja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu