Mjeku psikiatër, Neli Demi ka deklaruar se pandemia Covid-19 ka shtuar numrin e personave që kërkojnë ndihmë për problemet psikologjike që hasin.

I ftuar në studion e ABC, me Juli Xhokaxhi, mjeku dha sqarime për pasojat e koronavirusit në shëndetin mendor.

Demi tha se Covid është një sëmundje që shkakton shumë frikëra dhe ankth dhe kjo ka ndikuar në rëndimin e gjendjes së shëndetit mendor.

“Rastet e vetëvrasjeve në institucionet shëndetësore tërheq vëmendje më të veçantë. Nuk pritet që personat që janë në kujdes mjekësor të kryejnë këtë veprim. Janë shumë faktorë për t’u marrë në konsideratë.

Simptomatika apo problemet që shkakton një infeksion apo një sëmundje tjetër e rëndë kronike të gjitha këto krijojnë një gjendje emocionale dhe fizike më të rënduar. Rastet konkrete kajnë të bëjnë me persona që janë shtruar në spital me Covid dhe kanë të bëjnë me një kontekst më konfuz dhe më të rënduar të popullatës. Secili prej nesh është në kontakt me këto frikëra.

Ankesat janë nga më të ndryshmet. Ka mbivendosje të fuqishme të gjendjeve të ankthit. Kur them mbivendosje e kam fjalën për individë që edhe më herët kanë pasur probleme, por kjo situatë e rëndon më shumë.

Janë vënë re edhe fenomene të infarktit të trurit. Është pjesa psikologjike që ndikohet nga këto, nga frika, nga dëshpërimi, nga mungesa e shpresës dhe mbështetjes. Kjo përhapje është në të gjithë botën. E gjithë bota është në ndikimin e këtij problemi, të cilin e kemi edhe ne”, tha mjeku, ndërsa shtoi se duhet t’i kushtohet vëmendje ndërhyrjes në shëndetin mendor.

“Duhet t’i kushtohet vëmendje ndërhyrjes për shëndetin mendor. Do thoja që ka një ndryshim në dekadat e fundit. Ka gatishmëri më të madhe për të kërkuar ndihmë”, deklaroi Demi.

Mjeku tha më tej, se pandemia do të kalojë, ndërkohë pasojat psikologjike që kjo sëmundje po lë në të gjithë botën do të zgjasin më shumë.

“Pandemia do kalojë. Efektet fizike të sëmundjes do kalojnë. Por pasojat në shëndetin mendor të individëve zgjasin më shumë se pandemia në vetvete. Biem në kontakt me vulnerabilitetin tonë, me faktin që nga momenti në moment mund të jemi të rrezikuar. Dhe këtë ndjesi do e mbajmë me gete edhe për një kohë më të gjatë”, deklaroi Demi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu