Pandemia, që ra papritur në gjithë botën e Shqipëri ka ndryshuar shumë plane, po ashtu dhe shumë tregues demografikë në vend.

Karantina që zgjati nga mesi i marsit deri nga fillimi i majit paralizoi tërësisht jetën në vend. Por dhe muajt në vijim nuk ishin më të njëjtë, me kujdesin e shtuar dhe lëvizjet e kufizuara.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i martesave është tkurrur ndjeshëm në 2020-n. Sipas statistikave që institucionet shqiptare raportojnë pranë Eurostat, vitin e kaluar u lidhën rreth 17.5 mijë akte martese në vend. Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me vitin e mëparshëm, celebrimet ranë me 22%.

Mungesa e dasmave dhe eventeve ndihet edhe te puna e Ujvara Hajdari, make-up artist. Makijazhi profesional i saj fokusohet te puna me personat publikë, nuset e dasmave, maturantët, emigrantët dhe vendasit, por nga pandemia, kërkesat janë reduktuar.

“Pandemia ka ndryshuar çdo gjë, deri tek mënyra jonë se si zgjohemi në mëngjes, jo më tek eventet.

Sigurisht që ka shumë dasma të zhvendosura në një afat të pacaktuar. Ka dasma që bëhen pa shumë njerëz, por ata më supersticiozët po martohen. Sigurisht nuk kanë ardhur nga jashtë, si dikur, edhe këtu ka mungesë. Megjithatë, puna vazhdon, e sigurisht me masa dhe maska, sepse shëndeti vjen i pari”, ka pohuar ajo më herët për Monitor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu