Florian Lamçe, është 40-vjeçri, i cili u godit për vdekje me shishe dhe sende të forta nga dy persona të tjerë sot në orën 04.00 të mëngjesit në Elbasan.

E gjitha ndodhi pas një sherri në lokal, në gjendje të dehur.

Mësohet se Lamçe ka ndërruar jetë, ndërsa janë shoqëruar në komisariat shtetasit Ardiano Hakdari, 42 vjeç dhe Sokol Sanxhaktari 34 vjeç.

40-vjeçari është vëllai i Olti Lamçes, i dënuar me 22 vjet burg, për vrasjen e Almir Canit.

Ngjarja ka ndodhur më 22 Shkurt 2012, në të cilën, pasi një sherri për një punë të papaguar, ka mbetur i vdekur me armë zjarri Almir Cani, pronar i diskos “Tekila” në qytet.

Almir Cani, 37 vjeç, u qëllua me dy plumba pistolete rreth 1 orë pas mesnatës.

Komunikata e Drejtorisë së Policisë Elbasan

Elbasan

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, ku humbi jetën shtetasi F. L., 30 vjeç.

Vihen në pranga 2 shtetas, autorë të dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit.

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur rreth orës 04:00, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, ku shtetasit A. H., 42 vjeç, S. S., 34 vjeç dhe F. L., 30 vjeç, në gjendje të dehur ishin kofliktuar me njëri-tjetrin me sende të forta, për motive të dobëta dhe si pasojë e plagëve të marra shtetasi F. L., ndërroi jetë në spital, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u bë e mundur kapja e autorëve të dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. H., 42 vjeç dhe S. S., 34 vjeç, banues në Elbasan.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, rreth orës 04:00, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, ku në bashkëpunim njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me sende të forta shtetasin F. L.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Vrasja me dashje” e kryer në bashkëpunim.