Në një kohë kur shifrat e infektimeve ditore të Covid 19 janë duke dalë jashtë kontrollit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka zbritur në terren mbrëmjen e djeshme, për të inspektuar zbatimin e rregullave nga qytetarët dhe bizneset.

Gjatë inspektimit në zonën e Tiranës së Re, Drejtor Veliu u ka kërkuar drejtuesve të DVP Tiranë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, me qëllim monitorimin e zbatimit të masave antiCovid, jo për të vendosur gjoba, pasi gjoba nuk është aspak qëllimi i Policisë, por me qëllimin e vetëm  parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nisur nga shtimi i rasteve, Drejtor Veliu ka theksuar se punonjësit e Policisë në terren duhet të intensifikojnë kontrollet në lokale dhe duhet të ushtrojnë kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde e në çdo ambient publik, duke treguar zero tolerancë ndaj atyre qytetarëve që nuk respektojnë masat dhe protokollet e sigurisë.

Prononcimi për meda i Drejtor Veliut:

Policia e Shtetit është e angazhuar për të zbatuar të gjitha detyrat që rrjedhin nga Akti Normativ, në kuadër të pandemisë.

Çdo ditë jemi duke kontrolluar dhe monitoruar masat, por kjo situatë ka ardhur duke u rënduar. Jemi munduar të sensibilizojmë dhe qytetarët të na mirëkuptojnë, por shifrat e fundit në rritje dhe vala e fundit si në të gjithë Europën edhe këtu tek ne, na detyron që ne të veprojmë ndaj çdonjërit që thyen rregullat e vendosura për pandeminë.

Nga ana e Policisë së Shtetit do të ketë tolerancë zero për të gjithë qytetarët që nuk respektojnë masat anticovid, nuk vendosin maska, nuk respektojnë distancimin social dhe detyrimet e përcaktuara në e-Albania, për sa i përket distancave në lokal dhe oraret e mbylljes së lokaleve.

Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, si dhe bizneseve, se Policia e Shtetit do të vazhdojë me seriozitet për të ndëshkuar çdo qytetar i cili nuk respekton këto rregulla.

Njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues me punonjësit e Policisë, sepse kjo thirrje që po ju bëjmë nuk është thjesht një kërkesë e shtuar e punonjësve të Policisë, por është një e mirë e cila duhet t’i shërbejë gjithë komunitetit dhe çdo qytetar ashtu si ne duhet të kontribuojë për të minimizuar dhe shkëputur zinxhirin e pandemisë.

Një kontribut i çdonjërit nga ne është një vlerë e shtuar dhe është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe që i jepet kontributit që duhet të japi çdo qytetar për të mposhtur pandeminë.

Ju lutem, respektoni rregullat dhe përgjigjuni të gjitha thirrjeve të cilat janë të vendosura në kuadër të pandemisë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu