Nazmi Aruqi, një biznesmen kosovar me bazë në Gjermani është njeriu më i përfolur për momentin, për shkak të gjestit të tij bujar. Ai ka vendosur që dy hotelet që kanë Frankfurt t’i vendosë në dispozicion të të pastrehëve në këto ditë të ftohta, ku temperaturat kanë shkuar disa gradë nën zero.

Në një intervistë, Aruqi ka thënë se kur ka mbërritur për herë të parë në Gjermani ka fjetur thuajse dy javë në rrugë pa ushqim dhe pa strehim, pasi ishte larguar nga Kosova gjatë masakrave të Serbisë. Ka qenë e shkuara e tij e vështirë, që e ka bërë të vlerësojë këtë realitet dhe t’i sugjerojë kryetarit të të komunës këtë ide.

Shtetasi kosovar ka njoftuar në Facebook, ku ka marrë rreth 6 mijë shpërndarje dhe mbështetjen e mediave gjermane, të cilat i kanë bërë jehonë lajmit.

“Atë ditë isha me familjen duke shëtitur, dhe kur pashë të pastrehët mu kujtua koha ime kur kam ardhë këtu në Gjermani si një i pastrehë. Atëherë më lindi ideja që në këtë ditë dimri ti strehoja në hotel. Unë mora në telefon kryetarin e komunës dhe ia propozova këtë ide, bëmë lajmërimin në Facebook dhe 6 mijë njerëz e ndanë menjëherë. Aty më pas me erdhën dhe mediat gjermane“, ka thënë ai në një intervistë.

Prej një jave Nazmiu në hotelet e tij nuk pret pushues, përkundrazi ai ka vendosur që biznesin e tij ta lërë në dispozicion të atyre njerëzve që janë harruar nga shoqëria, pra endacakët. Me disa prej të pastrehëve Nazmi është lidhur aq shumë sa ka vendosur tu ndryshojë jetën, duke i siguruar shtëpi dhe punë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu