Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është vendosur për miratimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me COVID-19, që do të financohet nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave, ka miratuar paketën e barnave për trajtimin ambulator në shtëpi të personave të diagnostikuar me COVID-19, paketë e cila do të financohet nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Siç caktohet në VKM, paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë, ndërsa vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.

Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Kujtojmë se më herët ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se skema 1 e trajtimit e cila përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni, kurse skema 2 e trajtimit e cila përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov. Kostoja vjetore parashikohet 1.2 miliard lekë në vit.

VENDIMI I PLOTË:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave, Vendosi:

1. Rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

2. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

3. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.

4. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.

5. Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

6. Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.

7. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

8. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu