Ndër enigmat e shumta rreth koronavirusit, mbetet edhe ajo e origjinës së tij. Sipas një virologeje, paraardhësi i tij mund të ketë qëndruar i fshehur për miliona vjet te kafshët, për t’u shndërruar më tej në atë që është sot, duke ia dalë të infektojë njerëzit.

Koronavirusi, i njohur shkencërisht si SARS-CoV-2 mundi të prekë njerëzit, fill pasi pësoi mutacion teksa gjendej brenda një kafshe dhe më pas “kërceu” te specia humane. Kjo ndodhi për herë të parë vitin e shkuar në Kinë dhe virusi – i cili u përhap me shpejtësi- që nga ajo kohë ka infektuar të paktën 110 milionë njerëz dhe ka vrarë 2.4 milionë.

Dr Emilia Skirmuntt, një virologe në Universitetin e Oksfordit, po studion viruset që prekin lakuriqët e natës dhe thotë se ka të ngjarë që ata të kenë mbartur një version të virusit për një kohë të gjatë. Shkencëtarët mendojnë se ishin pikërisht këto gjallesa që e kaluan virusin te një specie tjetër, që më pas ua dha njerëzve, por Dr. Skirmuntt thotë se kurrsesi nuk mund të flitet me siguri.

“Se kush ishte specia zero”, tha ajo për MailOnline, “është ende e paqartë”.

Ndoshta njerëzimi nuk do ta përcaktojë asnjëherë momentin e saktë të përhapjes së virusit nga kafshët te njerëzit. Ekspertët thanë dikur se pangolinët (milingonangrënësit me luspa) mund të ishin “fajtorët” kryesorë,  por Dr. Skirmuntt deklaroi se diçka e tillë nuk kishte gjasa, sepse virusi i sëmur edhe këto gjallesa, që do të thotë se nuk do të ishin “rezervuarë efikasë” për të ruajtur virusin.

“Virusi duhej të shndërrohej që të mund të kalonte te njerëzit. Paraardhësi i këtij koronavirusi ishte një specie shtazore, e cila ishte rezervuar për miliona vjet dhe më pas ndodhi mutacioni i shumëpërfolur. Kështu morëm SARS-CoV-2”.

Origjina e pandemisë është akoma e mjegullt dhe Kina është akuzuar për mbulimin e të dhënave dhe për dështimin e dorëzimit të raporteve ndaj një ekipi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pak kohë më parë.

Burimi: MailOnline

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu