Stuhitë e dëborës kanë përfshirë pothuaj krejt territorin e qarkut të Elbasanit. Si rrallë herë reshje intensive dëbore po bien në qytetin e Elbasanit dhe në disa qytete të tjera të prefekturës.

Në disa zona të thella malore në Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas, trashësia e dëborës ka mbërritur deri në 30 cm.

Tashmë fshatra të thellë malorë si Lenie, Poroçan, Skëndërbegas në Gramsh, Polis, Stëblevë, Lunik, Fushë-Studen në Librazhd, Labinot Mal, Zavalinë dhe Funar në Elbasan, Rrajcë, Sopot në Prrenjas, ndodhen nën pushtetin e dëborës.

Vëmendja është përqëndruar në aksin kombëtar Elbasan-Librazhd-Qafëthanë. Në këtë aks rrugor punohet vazhdimisht me borëpastruese dhe hidhen skorje. Temperaturat e ulta e kanë përkeqësuar situatën. Në Qafëthanë lëvizet vetëm me zinxhirë.

Mjetet janë përqëndruar në lartësitë e Qafëthanës, në aksin Librazhd-Peshkopi, Librazhd-Qarrishtë ku edhe situata është më problematike.

Shtabi i emergjencës në prefekturë po mban lidhje me njësitë vendore të cilat me mjetet dhe mundësitë që kanë po përpiqen të mbajnë të zhbllokuar situatën.

Ndërkohë mësohet se stuhia e dëborës ka shkaktuar shembje të disa shtyllave dhe këputje të përcjellësave në duke lënë në errësirë disa fshatra.

Grupet e punës ndodhen në terren, por moti nuk lejon që të punohet me kapacitet të plotë për të normalizuar situatën. Reshjet ende vazhdojnë me intensitet dhe situata pritet të përkeqësohet më tej.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu