Ngjarja e së enjtes vazhdon akoma të mbahet mend. Pasi plagosi 2 të rinj, qëlloi drejt policisë dhe pasi mbajti 5 orë forcat RENEA “peng” ai u eleminua në banesën e tij. Shtëpia e bërë shoshë nga plumbat është vulosur me shiritë nga policia. Aty u kthye vetëm një moment Floresha, bashkëjetuese e viktimës e cila pasi mori dy a tri sende personale, u largua sëbashku me të bijën. Në banesën ku për pesë orë me radhë 71-vjeçari Lefter Zhidru kërcënoi i armatosur, nuk ka shkuar ende as pronari i banesës D.K që e dha hyrjen me qera 11 vjet më parë. Zërat e fëmijëve poshtë pallatit dëgjohen teksa qeshin e bëjnë potere: ‘Po sikur të shpiket një lojë ‘Lefteri Home’ dhe të dalë ai me kallash?’. Njëri prej tyre e imiton me një shkop fshese, sikur të kishte armë në dorë. Por arma e Lefter Zhidrut nuk ishte lodër dhe as tritoli i paketuar. Për fqinjët e 71-vjeçarit sjellja e plakut nuk ishte aspak suprizë.

‘Erdhën me qera në 2009. Që nga ajo kohë, në atë shtëpi kishte vetëm grindje. Ai e rrihte, ishte xheloz. Ndonjëherë Floresha mbyllej me javë dhe nuk dilte. Kur dilte, shikonim shenjat e saj’, shprehet njëra prej banorëve. Sipas saj, ‘çifti ishin të dy të çuditshëm’. ‘Ata shaheshin, bërtisnin. Përherë e më rrallë dilnin nga shtëpia. Gjatë pandemisë, Lefteri rralloi daljet, ndërsa e shoqja zbriste ose për të çuar vajzën në shkollë ose kur blinte ushqime. Nuk e di me çfarë jetonin, me çfarë të ardhurash, por ata ishin problem për ne. Policia ishte vënë në dijeni’, shton një tjetër fqinje.

Gjendja sipas komshinjve ishte bërë e padurueshme dy vite më parë, kur i moshuari mbante gjysmë të hapur derën e shtëpisë dhe qëndronte në errësirë me një levë në dorë. Kështu e mbajnë mend fqinjët, të cilët kur kuptuan se çifti grindej pasi gruaja dilte shpesh, ata i përshëndesnin përherë e më rrallë nga frika e një konflikti të mundshëm. ‘Para pak muajsh ata shitën disa hekurishte që i mbanin në ballkon prej kohësh, ata jetonin në kushte të vështira’, tregon shitësja e lagjes sipas të cilës gjendja mendore e të dyve u rëndua nga problemet ekonomike që po hasnin dhe nga xhelozia e Lefterit që dyshonte se gruaja po e tradhëtonte.

Megjithatë njëri prej fqinjëve nuk iu shmang dot dhe një ditë u gjend përballë të moshuarit që nga ballkoni i bërtiti të largohej nga makina e tij. ‘U habita, i thashë që jam në rrugë, s’kam punë me makinën tënde dhe pastaj u zumë’. Ajo çka pasoi ishte ankesa në polici nga të dyja palët që akuzuan njëra-tjetrën për kanosje. Policia nuk shkoi ansjëherë për kontroll në shtëpinë e të moshuarit, që përpara tyre sillej mirë, ndonëse fqinjët ankoheshin për çiftin agresiv. Nga kërkimet e tyre, fqinjët kishin zbuluar se i moshuari dhe partnerja e tij 45-vjeçare kishin jetuar edhe në një lagje tjetër në Elbasan, në lagjen ‘5 Maji’ dhe pas konflikteve fqinjët e mëparshëm i kishin larguar prej andej.

Dita e fundit…

‘Ajo doli zbathur sëbashku me vajzën, një fëmijë i urtë’, thotë për Floreshën fqinja e parë. Gruaja thotë se dëgjoi të bërtiturat e Lefterit që e urdhëroi: ‘Përjashta!’. ‘U habita, ishte hera e parë që e nxorri nga shtëpia’. Banorët brenda pak minutash, panë se si forcat Shqiponja trokitën për ta marrë në polici të moshuarin për sqarim dhe ai u përgjigj me breshëri automatiku që bënë shoshë derën e shtëpisë ku ai jetojte dhe derën e komshinjve ngjitur. ‘I shikon këto shenjat në murin e katit të tretë? Ai doli dhe iu vu policëve pas duke i qëlluar ndaj dhe ata u ngjitën nga kati i dytë në të katërtin ku dhe shpëtuan’ shpjegon banori tjetër

Dhe ndërsa Lefter Zhidru, i vrarë nga policia pas pesë orë negociatash, u varros në fshatin e tij në Xarrë, partnerja e tij është kthyer tek të afërmit. Policia do tëa rithërrasë për të dhënë shpjegime shtesë, se përse çifti u grind dhe përse ajo nuk tregoi që në banesën e tyre i moshuari mbante fshehur një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu