Nga: Elton Qyno

Efektivi i policisë Damiraldo Heta, që shërbente pranë sektorit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në Policinë e Durrësit, dyshohet se furnizonte me ushqime, Arbër Balliun, të riun nga Burreli, i cili prej vitit 2019, ishte shpallur në kërkim nga prokuroria për akuzën e “Vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim.

Nga ndjekja në teren, që i kanë bërë agjentët e sektorit të SHÇBA-së, Heta rezultojnë dyshime të forta se efektivi i policisë, ka hyrë në një piceri, ku ka blerë një picë dhe më pas mendohet, se ka shkuar në një apartament në katin e dytë, që ndodhet në kompleksin “Kontakt”.

Pikërisht në këtë banesë është arrestuar nga blutë e Tiranës, personi në kërkim Arber Balliu, i cili akuzohet për tentativën e vrasjes së Enea Ramës, ngjarje kjo e ndodhur në 14 mars 2019.

Ndërkohë pak më vonë, është arrestuar dhe punonjësi i policisë së Dibrës, Damiraldo Heta. Për këtë të fundit prokuroria e Tiranës, ditën e nesërme do kërkojë caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, si person i dyshuar për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”. Ndërsa vetë punonjësi i policisë, Damiraldo Heta, në deklarimin e tij dhënë në polici, ka pretenduar se është bërë falsifikimi i dokumentave të ngjarjes, pasi në procesverbalin e shërbimit, ka treguar se nuk është arrestuar në banesën e personit në kërkim Arbër Balliu.

Por ndalimi nga policia sipas tij, është realizuar në afërsi të një lokali. “…nuk më kanë kapur në banesë, por jam ndaluar në një lokal për të pirë kafe, që ndodhet në banesën time…”, ka shkruar oficeri.

Më tej në procesverbalin e pyetjes si person nën hetim, Damiraldo Heta thotë se: ”…nuk jam kapur në banesën e shtetasit Arbër Balliu, por jam kapur në oborrin e pallatit të kompleksit “Kontakt”.

Më tej, Damiraldo Heta, ka treguar se raportet e shërbimit dhe kapjes së tij në flagrancë, nuk janë hartuar nga punonjësit e policisë, që kanë bërë arrestimin në oborrin e kompleksit “Kontakt”.

Për të hedhur më tepër dritë mbi këtë ngjarje dhe implikimin e policit Heta në ndihmën që i jepte të kërkuarit Arbër Balliu, tashmë policia dhe prokuroria e Tiranës, janë duke verifikuar komunikimet në aparatin e telefonit “Samsung Galaxy S9”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu