Ndonëse kanë kaluar 2 vite e ca nga vrasja e Artur Lleshit, 31-vjeçarit nga Bulqiza, ende për këtë krim nuk ka një autor. Ngjarja e rëndë u zbulua në dhjetor të 2018-ës, ku trupi i pajetë i 31-vjeçarit u zbulua i vrarë me 3 plumba në një tunel në në fshatin Gjuras të Bulqizës, 9 muaj pasi ishte zhdukur pa lënë gjurmë.

Nisur nga kjo, vëllai i viktimës, Lulzim Lleshi kërkon drejtësi për gjetjen e autorit të vrasjes së Arturit. Duke qenë se Prokuroria e Dibrës dhe Policia ende nuk e kanë zbardhur ngjarjen, Lulzimi ka kërkuar ndihmën e medias për ta rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e publikut. Gazetari Enver Doçi, ka siguruar një prononcim për ‘BalkanWeb’ nga Lulzim Lleshi, ku ky i fundit thotë se ka dyshime të forta që vrasja të ketë si autor apo organizator të saj familjarët e tij, e konkretisht ish-bashkëshorten.

“Vëllai im u gjet i vrarë para 3 vitesh në një tunel, prokuroria nuk ka ecur me këtë problem. Se di ku ka ngelur çështja. S’di ku ta kërkoj. Dua të zbardhet ngjarja. U gjet i vrarë me 3 plumba. E kanë mbuluar me dhe gurë. E kanë gjetur 4 persona të fshatit. Më pas ata njoftuan kryeplakun e fshatit, i cili më tha edhe mua. Dyshimet i kam brenda familjes. Gruaja e vëllait iku po ashtu dhe ish-bashkëshortja ime u largua pas një viti. Dyshimet janë brenda familjes. Dua drejtësi se këta persona nuk janë sot para gjykatës.”, tha ai.

Artur Lleshi u denoncua si i zhdukur edhe nga bashkëshortja e tij para se ai të gjendej i vrarë në tunel. Në atë kohë, të dhënat e vetme për familjarët ishin që Arturi ishte nisur për të punuar në Maqedoninë e Veriut si çoban me datë 10 prill të vitit 2018, por që prej asaj date nuk kishin asnjë kontakt.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu