Sipërmarrësi Davide Pecorelli, pronar i disa bizneseve në fushën e estetikës dhe ish-arbitër në Arezzo është zhdukur që prej 6 Janarit. Mediat italiane kanë zbuluar detaje të reja për 45-vjecarin, i cili sapo mbërriti në aeroportin e Rinasit, mori një makina me qira që u gjet tërësisht e djegur në natën mes 7 dhe 8 janarit në Pukë, në një zonë të izoluar mes maleve, në afërsi me Kosovën.

Partnerja e tij, një shqiptare e cila jeton në Valtiberina i ka sjellë policisë sende personale të sipërmarrësit për të bërë krahasimin e ADN-së me eshtrat që u gjetën pranë makinës.

“Nuk di nëse Davide i ka shkelur në kallo dikujt”, është fjalia që ka thënë partnerja e tij para dhjetëra punonjësve në parukerinë që drejton në Itali. Ndër të tjera, mësohet se Pecorelli është baba i katër fëmijëve, tre me gruan e tij të parë dhe një me partneren shqiptare.

Sipas partneres së Pecorellit, ai kishte ndërmend që të bënte biznes në Shqipëri, ndërkohë që së fundi kishte qenë në një intenerar nga Tirana drejt Vlorës, dhe më pas drejt qytetit të Shkodrës.

Mësohet se biznesmeni italian ishte duke u kthyer në hotel në momentin kur makina u gjet e djegur, ndërkohë që të gjitha lëvizjet e tij kanë qenë të monitorueshme përmes GPS. Nuk bëhet ende e ditur se cila ka qenë fusha ku italiani do të investonte në Shqipëri, dhe as nëse ka gjetur ortak në vendin tonë.

Brenda mjetit të djegur në Pukë janë gjetur edhe disa sende personale të Pecorelit, përfshirë një orë dhe celular të tij. 45-vjeçari ka qenë për shumë vite një gjyqtar profesionist. Ai ka drejtuar kryesisht në Serinë C në Itali gjatë karrierës së tij. Por ndërkohë, në CV ka edhe shumë ndeshje në Serinë A, por si gjyqtar i katërt.

Në Itali presin ende të mësojnë rrethanat e zhdukjes së tij në vendin tonë në një ngjarje shumë të pazakontë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu